Arbëri

Petritsch: Ideja për ndarjen e Kosovës ka qenë e Beogradit

Wolfgang Petritsch

Në një bisedë në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, diplomati austriak Wolfgang Petritsch deklaroi se ideja për ndarjen e Kosovës ka qenë fillimisht propozim nga Beogradi, ndërsa ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe përfaqësuesja e atëhershme e BE-së, Federica Mogherini, ishin të hapur ndaj saj.

Petritsch, një nga figurat kyçe ndërkombëtare në proceset politike të Ballkanit pas luftërave, ka thënë se përfshirja e tij në këtë debat ishte për të kuptuar më mirë se çfarë mund të arrihej përmes dialogut.

“Ishte hera e parë që dy liderë ballkanikë flisnin për kufijtë në mënyrë paqësore. Nuk besoja se ndarja do të ndodhte, por shpresa ime ishte që përmes këtij diskutimi të gjenin një rrugë tjetër zgjidhjeje,” u shpreh Petritsch. Ai theksoi se qëndrimi i tij nuk nënkuptonte përkrahje për ndarjen, por për përpjekje kreative dhe jashtë kornizave për të arritur marrëveshje paqësore.

Petritsch tregoi se në atë kohë kishte sugjeruar organizimin e një takimi mes Thaçit dhe Vuçiqit në forumin e Alpbachut në Austri, ku ata për herë të parë ndanë të njëjtën skenë. Ai mohoi që të ishin shtruar ndonjëherë harta në tavolinë, por vërejti se pritshmëritë e Beogradit për territor kishin qenë joreale.

“Serbët mendonin se mund të merrnin shumë më tepër sesa do të jepnin. Kjo nuk funksionon,” shtoi ai.

Sipas tij, përfundimisht, ideja e ndarjes kaloi edhe në qarqet amerikane, por nuk prodhoi rezultat konkret.

“Nëse Beogradi dhe Prishtina do të arrinin një marrëveshje për ndarje, kjo do të nënkuptonte njohje de facto të Kosovës nga Serbia, sepse nuk mund të ketë traktat ndërkombëtar pa njohje të ndërsjellë,” i shpreh Petritsch.

Duke reflektuar më tej, ai theksoi rëndësinë e të menduarit ndryshe në politikë: “Edhe nëse nuk ka ndarje, pse të mos krijohen sipërmarrje të përbashkëta përtej kufirit? Kjo është ajo që politika duhet të bëjë — të kërkojë zgjidhje, jo të ngurtësohet në qëndrime.”

Lexo përditësimet tjera
Wolfgang Petritsch në Pikë me Veton Surroin

Wolfgang Petritsch në Pikë me Veton Surroin