Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, nga Zveçani ka përqeshur dhe akuzuar zyrtarët e Kosovës për mosthemelimin e Asociacionit. Derisa Petkoviq ka mohuar të jenë vënë kushte rreth Asociacionit, zëvendëskryeministri i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, ka përmendur sërish shuarjen e strukturave paralele
Me ndarje dekoratash e mirënjohjesh për presidentin e Serbisë, autoriteti paralel i Komunës së Zveçanit u është kundërpërgjigjur deklaratave të zyrtarëve kosovarë rreth shuarjes së strukturave ilegale. Me rastin e 30-vjetorit të themelimit të kësaj komune, Vuçiq, që u nderua me çmimin “Qytetar Nderi”, nëpërmjet një letre i ka siguruar serbët se derisa “t’i ecë fjala, flamuri i Serbisë do të valojë në Zveçan”.
"Çfarëdo që të flasin gjuhët e liga, dhe ata madje as nuk meritojnë që ne t'ua përmendim emrat në këtë ditë të madhe, Kosova dhe Metohija do të jenë, si më parë, mendimi im i parë kur hap sytë në mëngjes dhe mendimi im i fundit kur unë mbyll sytë në mbrëmje. Fjala dhe vullneti im do të respektohen, vetëm flamuri trengjyrësh serb do të valëvitet në Zveçan, sepse nëse Zveçani nuk është Serbi, atëherë çfarë është Serbia”, ka shkruar Vuçiq në letrën të cilën e lexoi drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka polemizuar edhe me zëvendëskryeministrin për dialog, Besnik Bislimi.
komunat dhe institucionet tona këtu, të cilat janë me dekada të vjetra dhe institucionet që janë shekullore dhe kurrë nuk rrezikojmë askënd. Prishtina nuk dëshiron ta formojë Asociacionin, gjen arsye të ndryshme pse nuk do ta bëjë këtë – tani ajo thotë se është e nevojshme të shfuqizohen disa institucione paralele. Pyetja është se cila do të jetë kërkesa tjetër – a do të jetë kërkesa tjetër që të mos ketë serbë këtu, dhe kur kjo të përmbushet, atëherë të formohet Asociacioni. Unë thjesht pyes veten se kur do të formohet Asociacioni”, ka theksuar Petkoviq.
Madje Petkoviq e ka përqeshur zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, duke thënë se ai ishte më i vogël se njëfarë lulëkuqeje. Petkoviq do të qëndrojë të hënën dhe të martën për vizitë në Kosovë, me lejen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.
Këshilltarja në kabinetin e Bislimit, Kaltrina Zeka, tha të dielën se do ta shqyrtojmë Asociacionin me seriozitet vetëm atëherë kur të gjitha strukturat paralele serbe të jenë shpërbërë në Kosovë.
Por përmes një postimi në Facebook të hënën, Besnik Bislimi nuk e ka ndërlidhur Asociacionin me shuarjen e strukturave paralele.
“Në përgjigje, te pjesa e Asociacionit, fillimisht kam konstatuar mungesën e kredibilitetit moral nga ana e Serbisë për të kërkuar çfarëdo implementimi nga pala kosovare, për aq kohë sa ata vetë nuk kanë implementuar asnjë marrëveshje tek e cila nuk kanë parë përfitim për Serbinë. Pastaj i kam radhitur të gjitha strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë si në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa, dhe kam vërtetuar që me kohë Serbia, jo që ka punuar në shuarjen e tyre, por i ka fuqizuar të njëjtat, përfshirë vendimet për emërime të nënshkruara nga individë kyç si presidenti, kryeministri apo kryetari i parlamentit serb, dhe problemet me transferin ilegal të parave për financim të tyre. Kam përmendur ndërmarrjet që operojnë ilegalisht në Kosovë, si dhe kryetarët e disa komunave të cilët në të njëjtën kohë kanë buruar nga zgjedhjet lokale në Kosovë dhe financohen nga buxheti i Kosovës dhe janë edhe të emëruar si kryetarë të ‘institucioneve të përkohshme’ të Serbisë në Kosovë”, ka shkruar Bislimi.
Ai ka treguar edhe rrethanat kur Kosova mund t’i avancojë të drejtat e minoriteteve.
atëherë kur në Kosovë të mos funksionojë asnjë strukturë paralele serbe; kur nuk do ketë financim ilegal nga Serbia dhe kur askush në Evropë të mos e kontestojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, mund të ulemi dhe të diskutojmë seriozisht për modalitetet më të përshtatshme për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të minoriteteve, natyrisht, nëse edhe vetë minoritet e konsiderojnë këtë të nevojshme, duke përmendur faktin që pas hedhjes poshtë të Asociacionit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, asnjë serb i Kosovës nuk protestoi, por vetëm Beogradi reagoi”.
Në lidhje me diskutimet rreth Asociacionit dhe shuarjen e strukturave paralel, KOHA ka pyetur në Zyrën e emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, por nuk kanë ofruar përgjigje.
Gjatë kësaj jave është paralajmëruar një diskutim virtual me emisarin Lajçak për caktimin e agjendës së takimit Kurti-Vuçiq, i paralajmëruar të mbahet në fund të këtij muaji.