Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pesë komisione përcjellin projektligjin për buxhet pa asnjë propozim-ndryshim

Komisioni për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, punë, familje, vlerat e luftës çlirimtare dhe peticione

Pa asnjë amendament të propozuar, projektbuxheti për 2026-n u përcoll për në Komisionin për Buxhet nga pesë komisione parlamentare. Ndonëse deputetët opozitarë shprehën kritika për përmbajtjen dhe mungesën e qartësisë mbi ndarjet buxhetore për sektorët përkatës, dokumenti u votua me shumicën e votave të partisë në pushtet.

Asnjë amendament për projektbuxhetin për 2026-n nuk e kanë parashtruar deputetët e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport.

Ani se anëtarët e këtij komisioni nga partitë opozitare adresuan kritika për përmbajtjen e këtij projektligji, në mbledhjen e së mërkurës nuk paraqitën asnjë propozim për ndryshim të përmbajtjes së tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E me 6 vota të partisë në pushtet, 2 kundër dhe 1 abstenim, ai u përcoll te Komisioni për Buxhet.
Deputetët e opozitës thanë se si komision nuk e dinë se sa është buxheti që kanë sektorët që ka në fushëveprimtari Komisioni.

“Pra në esencë, që ditën e parë ne nuk e dimë cilin buxhet kemi me komentu dhe me trajtu sot këtu. Sepse nuk i kemi sektorët, ministritë që realisht janë të parapara. Pra është një buxhet i vitit të kaluar. Nëse nisemi prej pjesës së parë të emërtimit të Komisionit për Mjedis, pra në start e shohim që atje kemi një zbritje të buxhetit -0.5% e pastaj një numër i madh i pengesave apo dobësive që vërtet vetëm fusha e mjedisit do të duhej të kishte një qasje shumë më serioze në ndarjet buxhetore”, ka thënë Ferat Shala, anëtar i Komisionit nga PDK-ja. 

Për vërejtjet u pajtuan edhe deputetët e partisë në pushtet që janë pjesë e Komisionit, të cilët e arsyetuan këtë me urgjencën për miratimin e buxhetit.

“Mbase në një situatë shumë normale të rregullt kërkesa e kolegëve të opozitës do të qëndronte sepse nuk do të ishte kështu në procedurë të përshpejtuar duke u bërë kjo punë, por duke marrë parasysh urgjencën, ju e dini shumë mirë se si është puna e këtij buxheti”, ka arsyetuar Artan Abrashi, anëtar i Komisionit nga LVV-ja. 

Projektbuxheti për 2026 është shqyrtuar edhe në 4 komisione të tjera të Kuvendit.

Amendamente nuk pati as në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, përkundër që u kërkua rritja e pensioneve për të moshuarit, veteranët dhe personat me nevoja të veçanta.

Por, deputetët nga LVV-ja thanë se këto propozime do të shqyrtohen gjatë rishikimit të buxhetit muajin tjetër.

Projektbuxheti në vlerë afro 4 miliardë euro është miratuar në parim të hënën, ndërsa shqyrtimi në lexim të dytë është propozuar të bëhet me shmangie të afateve.

Deputetët kanë afat deri të enjten t’i propozojnë amendamentet e tyre, ndërsa të premten, ligji i nënshtrohet shqyrtimit në lexim të dytë.

Nga opozita kanë pasur kritika që ligji si i tillë nuk reflekton strukturën e re qeverisëse, e as premtimet e dhëna nga kryeministri Albin Kurti. 

Por, për këtë, Kurti ka deklaruar se fillimisht do ta sjellin programin, e më pas edhe rishikimin e buxhetit, që do ta reflektojë edhe programin qeverisës.