Arbëri

Pesë filloristë sulmohen nga nxënës më të mëdhenj, prindi i njërit thotë se fëmijës tentuan t’ia digjnin flokët

Në shkollën fillore “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë, ditë më parë ka ndodhur një rast, me të cilin po merren Policia dhe Prokuroria. Katër nxënës të klasave 8 dhe 9 dyshohet se kanë sulmuar disa nxënës më të vegjël. Prindi i njërit prej nxënësve të sulmuarve ka thënë se fëmijës së tij kanë tentuar që t’ia djegin flokët dhe ta zhveshin. Drejtori i shkollës, këtë rast e ka cilësuar si “lojë mes fëmijëve”

Katër nxënës të shkollës fillore “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë, tre prej të cilëve të klasës së nëntë dhe një i klasës së tetë, dyshohet se i kanë sulmuar pesë nxënës të ciklit më të ulët, nga klasa e parë deri në të pestën.

Ngjarja ka ndodhur më 10 qershor në oborr të shkollës dhe është dashur edhe ndërhyrja e Policisë, e cila i ka shoqëruar në stacion nxënësit e dyshuar për sulm.

Bujar Bajqinca, prindi i njërit prej fëmijëve të sulmuar, ka thënë se djalit të tij është tentuar që t’i digjen flokët dhe të zhvishet.

“Përjetimet e tij kanë qenë më të pakta prej përjetimeve të nxënësve të tjerë. Ky ka pasur tentim djegie të flokëve dhe tentim zhveshje, por ka pasur nxënës që i kanë zhveshë dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre”, ka thënë Bajqinca.

Më shumë se për rastin, ai ka thënë se është i shqetësuar me mënyrën se si rasti është trajtuar nga Prokuroria.

“Realisht është shqetësuese se si prokurori i shtetit e cilëson rastin si shtrëngim, kur nuk ka të bëjë me shtrëngimin porse është një rast tejet alarmues, ku ka ndodhë dhunë fizike, psikologjike dhe seksuale ndaj disa nxënësve, të cilët janë në fazën e zhvillimit të jetës së tyre”, është shprehur ai.

E drejtori i shkollës, Xhavit Berisha, incidentin e ka cilësuar si lojë mes fëmijëve.

“Të gjithë kanë qenë nxënës të shkollës sonë. Më tepër ka qenë kjo si lojë e fëmijëve po më doket, por meqë rasti ka shkuar në Polici nuk e shoh të arsyeshme, sepse ne e kemi lajmëruar me kohë Qendrën për Punë Sociale, policinë, këshillin drejtues të shkollës, këshillin e prindërve”, ka thënë Berisha. 

Ai ka theksuar se ndaj tre nxënësve të klasës së nëntë nuk është marrë ndonjë masë, pasi që e kanë përfunduar ciklin mësimor në këtë shkollë. E për nxënësin e klasës së tetë, ai ka thënë se është bërë kërkesë për ndërrim të shkollës.

“Ne i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme si shkollë në bazë të legjislacionit në fuqi që e kemi, edhe aq sa kemi konsideruar që rasti është i ndjeshëm. Mirëpo ndërkohë ka intervenuar edhe policia, ka ardhur edhe një hetues ka marrë informacione shtesë që ata e kanë parë relevante për rastin dhe e gjithë lënda ka kaluar në organet e drejtësisë”, ka thënë drejtori i shkollës “Xhavit Ahmeti”.

KOHA ka kontaktuar Policinë e Kosovës si dhe Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës lidhur me rastin, porse nga asnjëra prej këtyre instancave nuk ka marrë përgjigje.