Visar Krasniqi, anëtar joprokuror i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga shoqëria civile, ka thënë se vendimi për shkarkimin e u.d. të kryeprokruorit të shtetit, Besim Kelmendi, është i paligjshëm. Krasniqi ishte një prej pesë anëtarëve të KPK-së që lëshuan mbledhjen të enjten ku po shqyrtohej propozimi për shkarkimin.
Krasniqi ka theksuar se vendimi nuk ka efekt juridik. Ai ka shtuar se pesë anëtarët që lëshuan mbledhjen nuk u informuan më pas se mbledhja po vazhdonte me pesë anëtarët e tjerë.
Ai është shprehur se Kelmendi vazhdon detyrën, pavarësisht vendimit të nxjerrë sot.
“Pesë anëtarë të KPK sot kanë tentuar të marrin vendim për shkarkim të u.d. të kryeprokurorit pa pasur kuorum të kërkuar sipas ligjit. Votimi me pesë anëtarë nuk përbën mbledhje të konstituuar dhe rrjedhimisht nuk përbën vendim me efekt juridik. Fakt ky që u konstatua edhe nga vetë kryesuesi i KPK, Hajdaraj, kur me largimin e 5 anëtarëve konstatoi se nuk ka kuorum”, ka thënë ai në konferencë për media.
Krasniqi ka thënë se çdo vendim i marrë në mungesë kuorumi është akt inekzistent dhe nuk prodhon kurrfarë efekt juridik, ndërsa ka shtuar se largimi i anëtarëve ka qenë i vetmi mekanizëm për ta ndaluar një “akt të paligjshëm”.
Siç ka thënë ai, ky ka qenë një plan prapa të cilit qëndron kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
“Propozimi për shkarkimin e Kelmendit bazohej në një logjikë të qartë të një puçi institucional duke tentuar të vendoset përfundimisht mbi udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit jashtëligjshëm. Në një frymë edhe u.d. e tha në takim se prapa gjithë këtij organizimi qëndron kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj”.
Krasniqi u ka bërë thirrje institucioneve relevante për vlerësimin e situatës juridike, ndërkohë që Policisë i ka bërë thirrje që të kujdeset për sigurinë e anëtarëve të KPK-së.
“Ftojmë institucionet relevante të vlerësojnë shkeljet e kryera sot nga 5 anëtarët e KPK-së. Ftojmë AKI për të vlerësuar situatën dhe ruajtjen e sigurisë juridike në vend. Ftojmë Policinë që të kujdeset për nivelin e sigurisë për anëtarët që sot jemi këtu. Organet e drejtësisë të vlerësojnë gjendjen juridike pas këtyre veprimeve. Ftojmë organizatat e shoqërisë civile dhe mediat të monitorojnë zhvillimet që cenojnë funksionimin e sundimit të ligjit”.