Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës u shënua me aktivitete vetëdijesuese të organizuara nga HANDIKOS, me fokus në përmirësimin e qasjes dhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Gjatë aktivitetit, u theksua mungesa e infrastrukturës së përshtatshme për përdoruesit e karrocave, përfshirë mungesën e rampave, trotuaret e papërshtatshme dhe qasjen e kufizuar në institucione publike. Në këtë ditë u bë thirrje që institucionet qendrore dhe lokale të rrisin angazhimin për krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës
Elda Islami
Me moton ‘të lëvizim bashkë drejt barazisë’, në Prishtinë u shënua Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë u vendos instalacioni me mesazhin “Këtu s’pasqyrohet barazia!”, si një thirrje për ndërgjegjësim dhe reflektim mbi realitetin me të cilin përballen çdo ditë përdoruesit e karrocës.
Zëdhënësja e HANDIKOS-it, Kaltërina Misini, thotë se kjo ditë është një thirrje për vetëdijesim për institucionet, por edhe për qytetarët.
“Ne synojmë që të vetëdijesojmë edhe institucionet, të cilat janë të obliguara për të zbatuar udhëzimin administrativ për qasje dhe për të krijuar ambient të qasshëm dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e saj, por edhe për qytetarët që të vetëdijesohen mbi rëndësinë që të gjitha ambientet të jenë të qasshme dhe të mos ketë diskriminim”, ka thënë Misini.
Pikërisht për shkak të mungesës së qasjes për këta persona, Kaltërina Misini njofton se prej 8 padive që janë ngritur ndaj institucioneve, tri prej tyre janë fituar. Dhe, pavarësisht sfidave me mungesën e infrastrukturës, Misini thekson se edhe ato që janë ndërtuar nuk janë sipas standardeve. Ajo ngre nevojën edhe për tualete të qasshme dhe ashensorë për personat me karroca.
Ndërsa, Besart Ramadani pati një thirrje për institucionet.
“Nuk është diçka që po kërkojmë madhore, por është diçka elementare dhe e domosdoshme për personat me aftësi të kufizuara, sidomos për përdoruesit e karrocave, sepse e kemi shumë të vështirë me shku diku ose me kalu prej një vendi në vendin tjetër. Ju kisha lutur institucioneve me ba qasjen dhe mos të na anashkalojnë qysh e kanë bërë deri tash”, është shprehur Ramadani.
Ndërsa Faruk Kukaj, i cili fitoi rastin pasi paditi Komunën e Prishtinës, tha se ende ka shumë punë për rregullimin e infrastrukturës për personat me karroca.
“Duke llogaritur tani dhe kohën më parë, ka disa ndryshime, ka disa rregullime, ka disa hapësira, por ende është larg prej plotësimit të standardeve dhe kushteve për përdorues të karrocave”, ka deklaruar Kukaj.
Drejtuesit e HANDIKOS-it njoftuan se përveç këtij aktiviteti, për të shënuar këtë ditë kanë zhvilluar edhe fushatë vetëdijesuese në mediat online.