Arbëri

Përplasje në Komision, Hoti akuzon Muratin për mashtrim

Marrëveshja ndërkombëtare për kredi shtesë për mbulim të pasojave të shkaktuara nga Covid-19, e paraparë në rishikimin e buxhetit, ka përplasur deputetët e opozitës me pushtetin.

Në Komisionin për Buxhet, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për mashtrim të deputetëve dhe kreditorëve.

“Praktikisht jeni duke i mashtruar kreditorët ndërkombëtarë për të marrë kredi për një çështje, e cila nuk ekziston. Nuk kemi nevojë të veproni kështu. Kjo çështje ka për të bërë problem edhe në seancë, ju i keni votat dhe e kryeni, por ta dini dhe ta keni të qartë çka jeni duke bërë”, tha Hoti.

Reagoi ministri Murati, i cili tha se kjo kërkesë e Hotit është për inate politike.

“Sa i përket asaj që u tha nga deputeti Hoti, nëse doni me shfrytëzu këtë rast ose paragraf si arsyetim para qytetarëve dhe keni vendosur mos me votu kredinë për çështje politike”, tha Murati.

“Mos e hap këtë temë politike, mos ia fut kot. Mos hap biseda të tilla. Mos e qitni diskutimin në rrafsh tjetër. Po të doja ashtu, e them publikisht”, tha Hoti.

Kundër këtij neni ishte edhe deputeti i PDK-së, Bedri Hamza.

“Po flasim për 25 milionë euro dhe po flasim për një shumë tjetër përtej atij 25 milionëshit. Shuma prej 25 milionë (eurosh) e ratifikuar, s’ka nevojë me ardhë për ratifikim. Pra, po flasim për një shumë mbi 60 milionë”, deklaroi Hamza.

Kritika pati edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i cili tha se është i habitur se si mbulohet buxheti me huazime.

Ndërsa, në mbrojtje ministrit i doli kryetari i Komisionit, Armend Muja, që vjen nga e njëjta parti, duke thënë se kjo nuk është diçka që nuk ka ndodhur edhe më herët.

Buxheti i rishikuar do të jetë mbi 2.5 miliardë euro, kurse të hyrat do të jenë mbi 2.4 miliardë.

Komisioni me 6 vota për, e 2 kundër ka miratuar përmbajtjen tekstuale të projektligjit për rishikim të buxhetit. Seanca për shqyrtim të dytë të këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar, do të mbahet më 28 korrik.