Arbëri

Përplasje mes Hotit e Vuçiqit për marrëveshjen finale

Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje me Kosovën ku përfshihet njohja e ndërsjellë.

Kështu ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Forumin e Sigurisë në Beograd, ku pjesë e panelit virtual ishte edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Derisa Hoti ka përsëritur disa herë se marrëveshja e paqes duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë, Vuçiqit i ka penguar kjo duke fajësuar Kosovën se po kushtëzon themelimin e Asociacionit me diçka që nuk është nënshkruar në Bruksel.

“Nuk jemi duke diskutuar për marrëveshje tregtare mes dy vendeve. Nëse diskuton për aso marrëveshje mund ta kornizojmë se kush çka humb e kush çka fiton. Ne jemi duke punuar për marrëveshje të paqes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në respektim të kësaj, nuk duhet t’i kornizojmë diskutimet, se çka Serbia fiton e çka humb, apo Kosova se çka humb e çka fiton. Me rëndësi të shohim realitetin dhe përfitimet e të dyja vendeve”, tha Hoti.

Në anën tjetër, Vuçiqi ka folur për marrëveshje kompromisi ku nuk humb vetëm Serbia.

“Kur flasim për zgjidhjet e kompromisit, a mund të jetë kompromisi që Serbia ta njohë Kosovë dhe pastaj Kosova do ta njohë Serbinë. Nuk kemi nevojë për të. Ne jem vend që njihemi nga e gjithë bota. Por na duhet zgjidhje kompromisi, duhet ta kuptoni pozicionin e Serbisë, duhet të tregojmë kujdes për serbët tanë në Kosovë. Tani po thuhet se nuk e themelojnë Asociacionin pa na njohur Serbia. Por në Bruksel nuk kemi nënshkruar marrëveshje se ai do të themelohet pasi ta njohim Kosovën. Por, është nënshkruar me garantimin e BE-së se do t’i përmbushni të gjitha obligimet nga ajo marrëveshje”, tha Vuçiq.

Edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, dialogun e ka përshkruar si proces që kërkon kompromise.

“Është proces i madh, ekstremisht i rëndësishëm, ekstremisht i vështirë dhe sfidues. Është proces që kërkon kompromise, nuk mund të ketë fitore për një palë e humbje për palën tjetër. Dialogu nuk duhet të instrumentalizohet për politika ditore dhe ky është mesazhi im i përhershëm. Dialogu duhet të vendoset mbi politika ditore dhe duhet përkushtim nga palët, siç e pashë nga presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti”, deklaroi Lajçak.

Edicioni i dhjetë i Forumit të Sigurisë, këtë vit mbahet online për shkak të pandemisë me Covid 19, derisa një pjesë e tij i kushtohet edhe dialogut Kosovë-Serbi.