Përplasje e ankesa për presion ndaj mësimdhënësve për të hyrë në grevë ka pasur nëpër komuna. Në Ferizaj, shkolla “Gjon Serreçi” kishte njoftuar se mësimi do të niste më 1 shtator, por nxënësve iu mohua të ulen në bankat shkollore.
Mëngjesi i së enjtes, shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj e gjeti plot me nxënës dhe mësimdhënës. Një natë më parë ishte dhënë njoftimi se mësimi do të niste, me gjithë grevën e SBASHK-ut.
Por, nxënësit u kthyen pa mbajtur mësim, pasi që mësimdhënësit nuk hynë nëpër klasa. Prapa kamerës, ata u ankuan për presione të ndryshme nga Sindikata, për t’iu bashkuar grevës.
Nazmi Heda, drejtor i shkollës, është kundër grevës.
“Arsyetimi me mjete financiare për t’i edukuar dhe arsimuar brezat e tërë, mendoj se nuk përkon me kohën që ne po ballafaqohemi dhe me situatën politike në përgjithësi që po mbretëron në Kosovë. Prandaj është mirë që edhe Sindikata t’i vazhdojë kërkesat, por jo duke kërcënuar me grevë dhe persekutuar fëmijët e sidomos fatosat që për herë të parë po vijnë në bankat shkollore”, ka thënë ai.
E, ankesat për presion ndaj mësimdhënësve i ka mohuar Fejzullah Vranovci, kryetar i Sindikatës së Arsimit në këtë komunë.
“Të gjithë mësimdhënësit shkruajnë se do të punojnë pa të holla sepse janë revoltuar nga ministri i Financave. Ai ishte gjykatës, kryetar komune, ai ishte kryetar shteti”, ka thënë Vranovci.
Greva e ka nxitur pakënaqësi edhe te prindërit.
“Kush po na udhëheq me këtë grevë është mjerim, fëmijët e kanë pritur me gëzim këtë ditë sot”, ka thënë Isuf Thaçi.
“Për mendimin tim për klasat e para nuk duhet të ketë greva sepse është një fillim që këta duhet ta kenë një fillim të mirë dhe të mbarë, kështu që nuk është e arsyeshme për klasat e para”, ka deklaruar Emin Plakaj.
Përkundër ankesave, sindikalistët kanë thënë se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të mësimdhënësve.