Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së fundit me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë ka marrë 527 mijë e 145 mijë euro nga projekti “Ndërtimi i objektit të Spitalit në Ferizaj” me qëllim të menaxhimit më të mirë të situatës së pandemisë.
Ky vendim ka përplasur PDK-në dhe LDK-në në qytetin e Ferizajt. Sa herë që përmendet çështje e spitalit ti ri në këtë qytet, nxiten reagime e akuza të ashpra ndërmjet këtyre dy subjekteve duke ia hedhur fajin njëra tjetrës për zvarritje të këtij projekti.
Sipas vendimit të Qeverisë nga këto mjete shuma prej 477 mijë e 154 euro do të transferohen në kategorinë e shpenzimeve kapitale në projektin “Pajisje mjekësore për Departamentin e Mikrobiologjisë dhe Laboratorët Testuese”. “Dhe shuma prej 50 mijë eurosh në kategorinë e shpenzimeve kapitale në projektin “Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve, pajisje kapitale” në programin Departamenti Shëndetësor i Burgjeve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Ndërkohë, pas publikimit të këtij njoftimi deputeti i PDK-së Elmi Reçica nga Ferizaj dhe Kryetari i LDK-së në Ferizaj, njëherësh zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik, Muharrem Svarqa, kanë shkëmbyer akuza ndaj njëri-tjetrit në rrjetet sociale. Reçica fillimisht ka thënë se në mandatin qeverisjes 2014-2017, kryetari i LDK-së në Ferizaj dhe ministri i shëndetësisë̈ nga radhët e LDK-së, padrejtësisht patën prolonguar dhe zvarritur procedurat e fillimit dhe zbatimit të ndërtimit të Spitalit nëpërmjet momenteve e vendimeve krejtësisht të panevojshme. “Fatkeqësisht, kohëve të fundit janë̈ rikthyer barrierat e panevojshme, përkitazi me zvarritjet procedurale për vazhdimin e finalizimit të spitalit nga ana e ministrit të shëndetësisë̈ si dhe përmes vendimit të qeverisë për tërheqjen e fondeve dhe ridestinimin e mjeteve buxhetore për vazhdimin e ndërtimit të spitalit dhe pengesave të tjera edhe atë̈ pas premtimit të ministrit Zemaj në përgjigjen e tij në pyetjen parlamentare, kështu që duke u pamundësuar përfundimi i spitalit tejet të nevojshëm”, ka shkruar midis të tjerash Reçica.
Por, menjëherë ka reaguar edhe kryetari Svarqa, duke ia rikujtuar deputetit Rrçica se “nuk funksionojnë të gjithë sikur ti”. Sipas Svarqes është bërë modë që njerëzit që bartin funksione të rëndësishme publike, për dështimet e tyre, mundohen që të gjejnë fajtorin gjithmonë tek të tjerët, e në veçanti te kundërshtarët e tyre politik. “Gjatë mandatit tim si kryetar komune, jam angazhuar maksimalisht që të fillojnë punimet për këtë spital, në pronën e përcaktuar atëherë nga Kuvendi Komunal, që ishte te parku i qytetit. Por, që atëherë kishin nisur pengesat për realizimin e ndërtimit të këtij spitali. Ishin bërë ankesa të vazhdueshme në OSHP nga operator të ndryshëm të cilët nxiteshin në prapaskenë nga po këta që sot po na akuzojnë pa të drejtë. Me anë të këtyre nxitjeve arritën që ta zvarrisin projektin deri sa erdhën vetë në pushtet”, ka thënë Svarqa. Sipas tij, po të mos ishte ky sabotim e nxitje, Spitali do të ishte ndërtuar deri tani dhe nuk do të kishte nevojë për të derdhur lot krokodili sot. Svarqa, ka sqaruar se për interesa të ngushta të pushtetarëve të caktuar të PDK-së, arritën që kundërligjshëm ( në kundërshtim të plotë me Planin Zhvillimor Komunal ), ta ndërrojnë lokacionin dhe të fillojnë punimet për ndërtimin e tij. “Pasi që janë evidentuar shkelje të ndryshme në punimet e këtij spitali, momentalisht është ndërprerë puna. Sot, në një shkrim në facebook por edhe disa javë më parë gjatë një seance në Parlamentin e Republikës së Kosovës, deputeti Elmi Reqica të cilin rrallë ndodh ta dëgjojmë të flas në Parlament, më ka akuzuar mua për projektin e spitalit. Ky deputet, njihet për“inekzistencën” e tij në kuvend sa i përket propozimeve për të mirën e përgjithëshme, por është shumë aktiv vetëm me ngritje dore në votime”, ka shruar Svarqa. Sipas tij, akuzat e tij janë të pa baza dhe thjeshtë janë “arsyetim” publik ndaj "dostave" të tij që kanë interesa, për dhe rreth Spitalit. “Deputeti në fjalë po mendon se të gjithë funksionojnë si ai, me logjikën e pengimit dhe të sabotimit. LDK dhe Qeveria Hoti, kanë mbështetur të gjitha projektet në Ferizaj duke mos bërë dallime edhe pse në këtë komunë qeverisë PDK. Prandaj, do të angazhohemi që edhe projekti i spitalit rajonal në Ferizaj të tejkaloj problemet dhe të rifillojnë punimet në mënyrë që sa më shpejt të përfundoj dhe të jetë në funksion të qytetarëve të e kësaj ane”, ka thënë më tej Svarqa.