Rikthimi i palëve në tryezën e negociatave, në përpjekjen për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë do të tentohet muajve në vijim.
Angazhimin në këtë drejtim e kanë intensifikuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zyrtarë të lartë të së cilave po qëndrojnë për vizitë në Kosovë dhe në rajon.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë se pavarësisht vëmendjes së përqendruar kah lufta në Ukrainë, presion për rinisjen e dialogut do të ketë.
“Aktivitetet e fundit diplomatike që janë duke u bërë në të dyja anët e Atlantikut flasin për një interesim të shtuar dhe pa asnjë dyshim ka një qëndrim, me gjithë krizën dhe tragjedinë që po ndodh me Ukrainën, që Kosova të mos lihet anash dhe ky është lajm i mirë. Pra, që nuk ka shans në këtë pjesë të Evropës të ngelim si një konflikt i ngrirë dhe është lajm i mirë se po bëhet presion që dialogu të rifillojë”, tha Hasani.
Ndihmëssekretarja amerikane për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, si dhe emisari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të hënën në mbrëmje kanë mbajtur takime me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidenten Vjosa Osmani.
Para takimit me diplomatët e lartë amerikanë kryeministrit në zyrë i shkuan ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Sipas njoftimit nga Qeveria, temë diskutimi në këtë takim kanë qenë zhvillimet politike në vend dhe në rajon. Sa i përket dialogut, nga Qeveria është njoftuar se po bëhet angazhim që ai të jetë parimor dhe i balancuar për një marrëveshje me njohjen reciproke në qendër të saj.
“Reagimi dhe rreshtimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe ka qenë i menjëhershëm. Përveç sanksioneve të vendosura ndaj Federatës Ruse, në linjë me ato të BE-së dhe të SHBA-së Kosova po ashtu është solidarizuar me popullin ukrainas, duke shprehur gatishmërinë e saj që të mirëpresë deri në 5.000 refugjatë nga Ukraina, teksa gazetarja e parë ukrainase, nga 20 sosh që do t’i pranojë Kosova, tashmë ka arritur në Prishtinë. Gjatë takimit u fol edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për çka Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar që të jetë parimor dhe i balancuar për marrëveshje me njohjen reciproke në qendër”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.
Nyja rreth dialogut mbetet Asociacioni i Komunave me Shumice Serbe, si pikë e vetme në të cilin insiston Serbia. Por, si emisari amerikan Escobar ashtu edhe ai evropian, Miroslav Lajçak, kanë përsëritur se Kosova duhet t’i përmbushë obligimet që i kanë marrë përsipër Qeveritë e kaluara, duke e përfshirë Asociacionin.
Hasani ka listuar dy aspekte sa u përket detyrimeve që ndërlidhen me Asociacionin.
“Aspekti i parë është formal, ku çështja e Asociacionit përbën një detyrim formal kushtetues dhe detyrim ndërkombëtar. Aspekti tjetër është përmbajtjesor që ngelet për t’u definuar nga përmbajtja dhe dinamika e bisedimeve, si dhe atje pala jonë mund ta tregojë veten. Por sa i përket natyrës juridike dhe detyrimit, mendoj se vetëm po humbet kohë, sepse është punë e mbyllur dhe se ndryshimet në qeveri nuk mund t’i prishin detyrimet që shteti i ka, sipas ligjit ndërkombëtar”, tha Hasani.
Asnjë rezultat nuk është arritur deri më tash në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Derisa kanë munguar takimet e nivelit të lartë Kurti-Vuçiq, dakordim nuk ka as për çështjet teknike, sikurse është marrëveshja për targat.
E kanë vazhduar në distancë akuzat e ndërsjella pas pretendimeve për krijimin e tensioneve në veriun e populluar me shumicë serbe.
Zyrtarët e Kosovës e kanë akuzuar Beogradin zyrtar se po tenton destabilizimin e veriut, sipas skenarit të Rusisë në Ukrainë.