Ka dështuar edhe përpjekja e 25 korrikut e deputetëve për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka njoftuar se për shkak se afati për konstituim i dhënë nga Gjykata Kushtetuese përfundon më 26 korrik, një përpjekje tjetër do të bëhet edhe të shtunën.
Masa e përkohshme, Krasniqi: Kushtetuesja kishte një arsye që nuk mund ta paragjykoj
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Gjykata Kushtetuese ka një arsye pse ka vendosur masë të përkohshme për mbajtjen e seancës konstituive, mirëpo që nuk mund ta paragjykojë arsyen, ani pse të njëjtën nuk e kishin kërkuar në rastin e dërguar në këtë institucion. Ai tha se duhet pritur aktgjykimi i plotë i Kushtetueses, madje para datës 8 gusht, kur edhe është vendosur data e fundit e moslejimit të deputetëve që të mbajnë seancë konstituive.
“Ka një arsye që nuk mund ta paragjykoj unë. Cila do të jetë arsyeja është diçka që do ta kuptojmë kur do të publikohet aktgjykimi final... Çka do të thotë gjykata në aktgjykimin e ardhshëm në rastin që kemi dërguar ne, mbetet të shihet. Dëshira jonë ka qenë që të kemi një aktgjykim të publikuar para se të skadojë afati, në mënyrë që të ketë qartësi se cilat janë pasojat apo veprimet. Është në të drejtën e tyre dhe po presim. Shpresoj që të publikohet para datës 8 gusht,” tha Krasniqi, pas dështimit të 52-të të konstituimit të Kuvendit.
I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të reja nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, Krasniqi tha se të njëjtat janë një zgjidhje, mirëpo që po imponohen nga LVV-ja.
“Ne jemi në një situatë të absurdit që s’është paramenduar nga askush, pasi kanë kaluar muaj e muaj nga zgjedhjet, madje edhe nga fillimi i seancës konstituive. Bllokada politike që po na imponon LVV-ja po vazhdon dhe ka paqartësi për hapat e mëtejshëm... Ndonjëherë nuk është e jashtëzakonshme t’i kthehemi kutive të votimit, përkundër që do të ishte e mundimshme, pasi kemi edhe zgjedhjet lokale më 12 tetor, pastaj raundin e dytë të balotazhit. Mirëpo, në fund të fundit, demokracia funksionon kështu. Një shtet anëtar i BE-së, Bullgaria, në tre-katër vitet e fundit ka mbajtur mbi pesë-gjashtë palë zgjedhje. Kjo nuk është shembull i mirë, mirëpo nëse një gjë e tillë imponohet për shkak të kryeneçësisë së partisë së parë, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje,” shton ai./ KS
Ambasadorët: Politikanët po e zhgënjejnë popullin, erdhëm me shpresë në Kuvend
Ambasadorët e vendeve të huaja të premten kanë marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit, e cila dështoi të prodhonte rezultat edhe këtë herë.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se në Kuvend shkuan me shpresë të madhe se sot do të kishte diçka të re. Ai e ka quajtur të domosdoshme krijimin e institucioneve sa më parë.
“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e sa drejt BE-së”, ka thënë ai.
E, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se politikanët po e zhgënjejnë popullin.
“Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit mund të themi si një karton i kuq sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”, ka thënë ai në Kuvend.
Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, u ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që bashkërisht ta gjejnë një zgjidhje për zhbllokim para përfundimit të afatit të Kushtetueses – 26 korrik.
“Përndryshe Kosova po hyn në një territor të panjohur dhe qytetarët e saj vazhdojnë të humbasin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare që ndikojnë jetët e qytetarëve”, ka shkruar ai në Facebook.
Nesër edhe një përpjekje
Ka dështuar edhe përpjekja e 25 korrikut e deputetëve për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka njoftuar se për shkak se afati për konstituim i dhënë nga Gjykata Kushtetuese përfundon më 26 korrik, një përpjekje tjetër do të bëhet edhe të shtunën.
117 deputetë ishin të pranishëm në sallë të premten, 54 votuan për.
PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja i kanë kërkuar kryesuesit të seancës që të rikthehet në rendin e ditës dhe të mos vazhdonte me votimin e komisionit për votim të fshehtë.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme që ndalon veprimet e deputetëve nga 27 korriku deri më 8 gusht. Në vendimin e saj, Gjykata konsideron që nëse nuk vendoset masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 27 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës.
Tutje thuhet se Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik e që përfshijnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend.
“Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet tutje në vendim.
Nga ana tjetër, presidentja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh – që zyrtarisht përfundon më 26 korrik.
Deputetët 52 herë nuk janë pajtuar, fillimisht për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të shkurtit, për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun. E më pas, partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë kanë kundërshtuar formimin e një komisioni për votim të fshehtë.
Masa e Kushtetueses, Zemaj: S’lë vakum për keqpërdorim të seancës dhe i jep kohë VV-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se masa e Gjykatës Kushtetuese, që për dy javë ndalon vendimet dhe veprimet e deputetëve, ka dy kuptime.
Sipas tij, masa mund të jetë marrë për të mos lënë vakum të “keqpërdorimit” të seancës dhe që t’i japë hapësirë Vetëvendosjes për të marrë mbështetje për kryetarin e Kuvendit.
“Ndoshta i dy ka kuptime kjo masë, e para që nuk do që të lë vakum të keqpërdorimit të seancës apo ndonjë vendimi arbitrar nga kryesuesi i seancës, dhe e dyta që t’i japë hapësirë LVV-së që në kuadër të vendimit paraprak të gjykatës, të gjejë bashkëpunimin që mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit. Problemi është i qartë, Albin Kurti e VV nuk e ka hallin e Kuvendit, e ka të qeverisë, nuk i ka numrat”, ka thënë ai.
Haradinaj: Masa nga Kushtetuesja jep shpresë se për dy javë mund të ketë zgjidhje
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se masa e Gjykatës Kushtetuese që ndalon çdo veprim apo vendim të deputetëve nga 27 korriku deri më 8 gusht, mund të jetë shenjë pozitive.
Ai ka theksuar se ka mundësi që gjykata të publikojë një vendim të ri për dy javë që do t’i jepte zgjidhje situatës.
“Koha është e shkurt, kjo masa e përkohshme është për dy javë. Na jep shpresë se do ketë zhvillime të reja apo vendim të ri të gjykatës. Kjo dy javë nuk është e keqe. Është e mundshme që gjykata ka paraparë që kaq kohë i nevojitet deri në një zhvillim të ri”.
Haxhiu paralajmëron se sot e nesër mund të mbahen disa seanca: Duam konstituim
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse nuk ka reflektim nga deputetët deri nesër kur skadon afati 30-ditor për konstituim, i vetmi opsion janë zgjedhjet.
Haxhiu ka përmendur mundësinë që të ketë edhe sot më vonë seancë tjetër, apo edhe nesër.
“Duhet pasur parasysh që as PDK, as LDK nuk kishin kërkuar masë të përkohshme. Megjithatë duke pasur parasysh aktgjykimin, Gjykata ka thënë që seanca duhet të ndodh, Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor. Është e natyrshme, normale që në këto rrethana kur nesër kemi ditën e fundit, Kushtetuesja të marrë masë të përkohshme... Na ka mbetur sot, nuk do të thotë se nuk mund të ketë seancë edhe sot, edhe nesër, se pastaj më 27 korrik hyn në fuqi masa e gjykatës. Duhet reflektim nga deputetët. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që bashkërisht të mos lejojmë një rrethanë që vendi të shkojë në zgjedhje. Ne jemi që të konstituohet Kuvendi. Por, nëse nuk ka reflektim, e vetmja zgjidhje mund të jenë zgjedhjet”, ka thënë ajo para nisjes së seancës.
Haxhiu ka theksuar se ka LVV-ja është në komunikim të vazhdueshëm me Nismën dhe e gatshme për partneritet.
“Kemi qenë shumë të gatshëm që t’i kemi partnerë në qeveri”.