53 herë deputetët kanë dështuar të arrijnë në konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Të shtunën, në seancën e orës 14:00 ligjvënësit nuk arritën në zgjidhje të bllokadës politike. Një tjetër seancë u paralajmërua sonte nga ora 22:00.

 


Haradinaj - PDK-së e LDK-së: T’ia ofrojmë një mazhorancë Kuvendit e qeverisë në të ardhme të afërt

3 o. më parë / 26 kor 2025 15:15
daut

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, u ka bërë thirrje udhëheqësve të PDK-së e LDK-së që “në një të ardhme të afërt” ta bëjnë një mazhorancë për Kuvend e Qeveri.

Ai ka thënë se as seanca e orës 22:00 nuk duket se do të ketë zgjidhje.  

“Po shihet qartë që s’ka vullnet për të bërë zgjidhje... Kurti po e shfrytëzon emrin e Albulena Haxhiut. Mendoj që as kjo seancë e orës 22:00 nuk ka zgjidhje... Kjo është një thirrje publike edhe për kryetarin PDK-së, LDK-së, AAK-së, te gjithë që kanë vullnet që t’ia ofrojnë një mazhorancë Parlamentit të Kosovës në një të ardhme të afërt dhe ekzekutivit të Kosovës”.

Krasniqi: Jam zgjedhur deputet 7 herë radhazi, situatë më absurde se tash s’ka pasur

3 o. më parë / 26 kor 2025 14:39
memli

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka paralajmëruar se do të mbajë një fjalim pas seancës së orës 22:00 të shtunën, pasi paraprakisht në hollin e Kuvendit u tha mediave se do të deklarohej pas seancës së orës 14:00.

Ai ka thënë se prej sa vjetësh që është zgjedhur deputet, nuk ka parë situatë më absurde se tash.

“Meqë vazhdimi i abuzimit u shfaq edhe sot në qasjen autoritare dhe imponuese nga ana e kryesuesit dhe na ftoi përsëri të jemi edhe njëherë në orën 22:00, siç po shihet për ta vazhduar talljen me qytetarët fjalimin tim do ta mbaj atëherë. Kam pasur nderin jetësor te zgjidhem deputet i Kuvendit të Kosovës 7 herë më radhë dhe situatë më absurde dhe problematike nuk ka pasur asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.

Pas tij, edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se do të deklarohen edhe nga partia e saj pas seancës së orës 22:00. 

53 herë dështues – deputetët e provojnë fatin edhe një herë sonte

4 o. më parë / 26 kor 2025 14:28
seanca

Photo: Driton Paçarada

Plot 53 herë deputetët kanë dështuar të arrijnë në konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Të shtunën, në seancën e orës 14:00 ligjvënësit nuk arritën në zgjidhje të bllokadës politike. 

Një tjetër seancë u paralajmërua sonte nga ora 22:00.

101 deputetë ishin të pranishëm në sallë.

Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë kërkuar kthim në rend të ditës, rrjedhimisht procedimin në votimin për kryeparlamentar dhe jo për komisionin për votim të fshehtë. Atyre u është ndalur fjala nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Limaj: S’po shoh mundësi të ndonjë ndryshimi sot

4 o. më parë / 26 kor 2025 14:08
Fatmir Limaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se as sot nuk pret të ketë ndryshim sa i përket votimit në seancën për konstituimin e Kuvendit.

Ai ka thënë se duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“S’po shoh mundësi të ndonjë ndryshimi sot”, ka thënë ai.

Zemaj: S'pres të ketë diçka të re as pas dy jave

4 o. më parë / 26 kor 2025 14:04
Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se me logjikën aktuale politike dhe bllokadën që sipas tij po vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk pret që vendi të ketë institucione të reja as pas dy jave.

“Duhet shfrytëzuar çdo moment, çdo minutë që të kemi institucione të reja. Por me këtë logjikë dhe këtë bllokadë që është evidente nga VV-ja, nuk pres që mund të ketë diçka as pas dy jave,” ka thënë Zemaj.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për konstituimin e Kuvendit të ri. Sipas vendimit të publikuar, masa është vendosur nga data 27 korrik deri më 8 gusht 2025, periudhë gjatë së cilës deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim që lidhet me konstituimin e organeve të reja parlamentare.

Murati numëron 64 vota: Duhet vetëm vullneti i deputetëve

4 o. më parë / 26 kor 2025 13:56
Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se do të mund të bëheshin 64 vota sot, nëse do të kishte vullnet individual të deputetëve.

Ai ka thënë se vetëm me vullnet politik tejkalohet bllokada.

“Uroj të gjendet vullneti te partitë opozitare, por edhe deputetët individualisht që më në fund ta kemi konstituim. Jemi te numri 57 me votat e Nismës mbi 60, jemi shumë afër. Me votat e Duda Baljes e Veton Berishës bëhen 62, me votën e Lutfi Hazirit që ka thënë ‘do bëhem vota 61’, bëhemi 63. Madje edhe me votën e  Bekë Berishën bëhemi 64. Nuk është problem që të sigurohen votat për ta tejkaluar këtë ngërç vetëm duhet vullnet”, ka thënë ai.

Organizatat e shoqërisë civile: Kthimi në votimin e hapur është kyç

5 o. më parë / 26 kor 2025 13:26
Kuvendi i Kosoves - 3 korrik

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Organizatat e shoqërisë civile u kanë bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta përdorin me përgjegjësi mundësinë e fundit për të konstituuar Kuvendin dhe t’i hapin rrugë formimit të institucioneve të reja.

Sot mbahet seanca e fundit e afatit 30-ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese, që pason me vendimin tjetër të saj të pezullimi dyjavor të veprimeve dhe vendimeve të deputetëve nga 27 korriku. 

Në reagim të përbashkët, ato kanë thënë se partitë politike duhet të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit përmes kompromisit dhe bashkëpunimit. 

“Kthimi në votimin e hapur për Kryetarin e Kuvendit, sipas praktikës së deritanishme, është hap kyç dhe i domosdoshëm për të mundësuar zhbllokimin institucional. Një dështim tjetër do të thellonte krizën aktuale dhe do të prodhonte pasoja të rënda politike, shoqërore dhe ekonomike për vendin. Prandaj, u bëjmë thirrje liderëve politikë dhe çdo deputeti që të veprojnë me maturi, përgjegjësi dhe në frymën e interesit publik”, thuhet në reagim.
 

Haradinaj: Vonesa e Gjykatës Kushtetuese e ka shtuar paqartësinë e krizën kushtetuese

7 o. më parë / 26 kor 2025 11:10
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Gjykata Kushtetuese është vonuar për vendosjen e masës së përkohshme. 

Sipas tij, kjo vonesë tani e ka shtuar paqartësinë dhe krizën kushtetuese në vend. Ka thënë se vendimi për masën e konfirmon se gjendja aktuale përbën rrezik serioz për funksionimin kushtetues dhe institucional, gjë që siç ka thënë ai, e kishte theksuar edhe AAK-ja në kërkesën e saj të parë drejtuar Kushtetueses. 

“Fatkeqësisht, atëherë Gjykata nuk e shqiptoi masën e përkohshme, ndonëse kushtet ishin pothuajse identike me ato që vetë i ka pranuar tani. Në aktgjykimin e fundit, Gjykata konstaton se situata përbën rrezik real për rendin kushtetues, por megjithatë nuk kishte vendosur masën e kërkuar nga AAK. Kjo vonesë e pajustifikueshme vetëm sa ka shtuar paqartësinë dhe krizën kushtetuese në vend. Sot ekziston frika reale se ndërhyrja e Gjykatës mund të ketë ardhur tepër vonë për të parandaluar pasojat që mund të ishin shmangur në kohë, sikur ajo të kishte vepruar me përgjegjësi në momentin kur u paraqit kërkesa jonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.