Vazhdimi i 38 i seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë do të mbahet sot nga ora 11:00.
37 vazhdimet e deritanishme janë shndërruar në një seri të dështimeve të njëpasnjëshme në mungesë të numrave për kreun e ri të Kuvendit.
Albulena Haxhiu në gjashtë tentime direkte nuk ka marrë votat e mjaftueshme të deputetëve dhe Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojë komision që do të mbikëqyrte procesin e votimit të fshehur.
Kjo do të jetë seanca e parë vazhduese pasi Gjykata Kushtetuese përmes një aktgjykimi ka vendosur të enjten, më 26 qershor, që Kuvendi duhet të konstituohet brenda tridhjetë ditësh.
Aktgjykimi i Kushtetueses vjen pasi Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar për interpretim mënyrën e fshehtë të votimit që po kërkojnë Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare e re e Kuvendit.
Ndërpritet seanca, deputetët pajtohen që ta vazhdojnë pas takimit të thirrur nga Kurti
Lajmi i plotë, pas pak
Dehari fton përfaqësuesit e partive politike për konsulta
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i ka ftuar për konsulta përfaqësuesit e partive politike.
Ai këtë ftesë e ka bërë në nisje të vazhdimit të 38-të të seancës konstituive.
Dehari ka thënë se ftesën e bën pas vendimit që ka nxjerrë të enjten Gjykata Kushtetuese.
“120 rroga, 0 përgjegjësi”, shoqëria civile sërish protestë para Kuvendit
Para fillimit të seancës së 38-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, organizatat e shoqërisë civile organizuan sërish një performancë simbolike për të shprehur pakënaqësinë ndaj bllokimit të konstituimit të institucioneve.
“Boll!”, “Mos folni për zgjedhje, kur s’ofroni zgjidhje, “Konkurs për deputetë të rinj”, “Institucionet nuk janë për pazare”, ishin vetëm disa nga parullat që u panë në këtë protestë.
Që nga përfundimi i zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet./EO
Haxhiu: Nëse s’i marr së paku 61 vota me votim të fshehtë, tërhiqem nga kandidatura
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka insistuar në votimin e fshehtë, duke dhënë zotimin se nëse bëhet kjo mënyrë e votimit e ajo nuk merr së paku 61 vota, do të tërhiqet nga kandidatura për kryeparlamentare.
“Me rastin e votimit të fshehtë kur votojnë të gjithë deputetë, siç ka kërkuar edhe Gjykata Kushtuese, nëse unë si kandidate e propozuar nuk i marr së paku 61 vota tërhiqem nga kandidatura për kryetare e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.
Haxhiu bashkë me deputetin e VV-së, Glauk Konjufca, kanë përsëritur se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se votimi i fshehtë nuk është antikushtetues.
Konjufca ka theksuar se Kushtetuesja bën me dije se veprimet e partive politike mund të çojnë në qorrsokak.
“Ne nuk mund ta dimë çfarë do të ndodhë pas 26 korrikut”, ka thënë ai.