Arbëri

Përmbytjet shtyjnë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë në tri komuna

Vështirësitë në qarkullim dhe dëmtimi i infrastrukturës ka bërë që Komuna e Malishevës, Drenasit dhe ajo e Fushë-Kosovës të shtyjnë nisjen e procesit mësimor. Në Malishevë e Drenas është shtyrë për dy ditë e në Fushë-Kosovë për një javë. E në Lipjan një objekt shkollor është përmbytur dhe Komuna po e shqyrton mundësinë për bartjen e nxënësve në një shkollë të tjerë. Mësimi në komunat tjera do të nisë të hënën

Gjendja e rëndë pas përmbytjeve ka bërë që gjysmëvjetori i dytë të shtyhet në dy komuna dhe në disa shkolla të komunave të tjera.

Komuna e Malishevës dhe ajo e Drenasit kanë njoftuar se kanë marrë vendim për shtyrje të procesit mësimor edhe të pakën dy ditë, e ajo e Fushë-Kosovës për një javë. 

Në arsyetimin e Drejtorisë së Arsimit të Malishevës thuhet se vendimi është marrë për shkak të përmbytjeve, të cilat kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë.

“Duke u bazuar në reshjet e fundit gjatë vikendit, të cilat e kanë rënduar situatën në terren përgjatë gjithë komunës sonë dhe kanë dëmtuar shumë rrugë dhe infrastrukturën rrugore, ju njoftojmë se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 do të bëhet më 14 janar 2026”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

Komuna e Malishevës ka qenë ndër komunat më të prekura nga vërshimet e fundit në vend.

E Komuna e Fushë-Kosovës, në arsyetimin për shtyrje, ka thënë se ka vështirësi në qarkullim dhe problem me ngrohje në shkolla.

“Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë shtyhet deri më datën 19.01.2026. DKA ka vlerësuar se nuk janë krijuar kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit arsimor. Ky vendim është marrë në funksion të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor”, thuhet në njoftimin e Komunës së Fushë-Kosovës.

E fillimi i procesit mësimor është shtyrë edhe në Drenas, deri të mërkurën. 

Në Lipjan, komunë e goditur këtë fundjavë nga vala e dytë e vërshimeve, në shkollën “Ismail Luma”, po ashtu nuk do të nisë mësimi nga e hëna, pasi objekti është përmbytur.

Drejtori i kësaj shkolle fillore dhe të mesme të ulët, Driton Sadiku, ka thënë se po shqyrtohet mundësia që deri në përmirësimin e kushteve, nxënësit të bartën në atë “Vëllezërit Frashëri”, që gjithashtu ndodhet në qytet. 

“Nuk do të filloj në shkollën ‘Ismail Luma’ për shkak të vërshimit dhe depërtimit të ujit nga lumi Sitnica. Për momentin jemi në konsultë me drejtorinë komunale të arsimit dhe shkollën tjetër të qytetit në mënyrë që nxënësit tanë të fillojnë procesin në atë shkollë”, ka thënë Sadiku. 

Gjysmëvjetori i dytë i mësimit ishte planifikuar të fillonte më 8 janar. Por, pas vërshimeve në fillimjavë, Ministria e Arsimit e shtyu nisjen për 12 janar.

KOHA ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë nëse do të shtyhet mësimi sërish në gjithë vendin, por gjatë së dielës nuk ka marrë përgjigje.

Kosova ka një javë që po përballet me vërshime të mëdha, sidomos në disa komuna, ku lumenjtë kanë dalë nga shtretërit.