Sportelet ku paguhet tatimi në pronë gjatë 2020-s nuk u vizituan nga pejanët aq sa shpresonte Komuna e Pejës.
Kjo komunë, shkaku i pandemisë, kishte arkëtuar vetëm 1.5 milionë euro nga mbi dy milionë sa planifikonte prej të hyrave nga tatimi në pronë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShkaku i situatës epidemiologjike, ndaj tatimpaguesve nuk ishin angazhuar përmbaruesit për shlyerjen e borxheve, ashtu siç ishte rasti gjatë 2018-s e 2019-s, kur përmes përmbaruesve ishte arkëtuar borxh në shumë prej gjysmë milioni eurosh.
E, një masë të tillë komuna nuk përjashton ta zbatojë sivjet.
“Ne e kemi edhe obligim ligjor, se me kodin e ri penal edhe mosveprimi është vepër penale. Kështu që, të shohim si do të jetë ndikimi i pandemisë në ekonomi. Ne do të detyrohemi që t’i përdorim gjithë mekanizmat, përfshirë edhe përmbarimin”, ka thënë Jeton Abazaj, drejtor i Financave.
Arkëtimin e borxhit përmes përmbaruesve, Abazaj e arsyeton me borxhin prej 11 milionë eurosh, i akumuluar prej vitit 2002 e deri më tani, që ia kanë Komunës qytetarët dhe bizneset e Pejës, por edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.
E, qytetarët e konsiderojnë të padrejtë detyrimin për shlyerje borxhesh gjatë pandemisë.
“Ka qenë e arsyeshme që shteti si shtet të intervenojë, për arsye se më së tepërmi është dëmtuar një pjesë e popullatës së shtresës së ulët”, ka thënë Adem Tahiri, një qytetar i Pejës.
Rreth borxheve për tatim në pronë, KOHA ka kontaktuar edhe disa biznese në Pejë, por ato kanë refuzuar të flasin para kamerës. Prapa saj janë ankuar se pandemia u ka shkaktuar dëme të mëdha.
Komuna nuk ka të dhëna se sa dëme u ka shkaktuar pandemia bizneseve në Pejë. Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Lendita Muhaxhiri, e ka pranuar se komuna ende nuk ka bërë një hulumtim të tillë.