Arbëri

Përkujtohen masakrat në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan

Masakra serbe

Foto: Facebook

Më 14 maj përkujtohen masakrat e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan.

Aty u ekzekutuan shqiptarë të paarmatosur nga ushtria serbe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se kujtimi për viktimat mbetet i përhershëm, duke shtuar se drejtësia për ta ende mungon.

“Sot përkujtojmë me dhimbje e nderim viktimat e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, civilë të pafajshëm, familjarë e fqinjë, të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb. 44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan u vranë vetëm pse ishin shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Presidencës në Facebook.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se drejtësia ka qenë e ngadaltë për trajtimin e këtyre krimeve të Serbisë.

Ai ka shkruar në Facebook se të gjitha krimet e luftës, së bashku me kryerësit dhe urdhërdhënësit e tyre, duhet të vihen para drejtësisë.“Për këto krime të rënda, dëbimet e civilëve shqiptarë, shkatërrimet e pronave, vrasjet dhe plaçkitjet gjatë zhvendosjes së dhunshme, drejtësia deri tani ka qenë shumë e ngadaltë. Të gjitha krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, së bashku me kryerësit dhe urdhërdhënësit e tyre, duhet të vihen para drejtësisë. Për to duhet të japë përgjegjësi drejtpërdrejt shteti i Serbisë”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se Kosova s’mund dhe s’do t’i harrojë asnjëherë krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës.

“Populli ynë ka mbijetuar dhe qëndron i fortë e krenar. Së bashku, çdo ditë, po e forcojmë Republikën tonë, si jetësim të idealeve të dëshmorëve e martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë”, ka shtuar ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se forcat serbe kryen masakra si akt hakmarrjeje për humbjet që po i pësonin në frontet e luftës.

Ai ka shkruar në Faebook se masakrat janë dëshmi e çmimit të lartë “që populli ynë e ka paguar për lirinë dhe shtetin qëe e gëzojmë sot”.

“102 shqiptarë, civilë të paarmatosur, u ekzekutuan barbarisht nga njësitë e kombinuara ushtarake e policore serbe, si akt hakmarrjeje për humbjet që Serbia pësonte në frontet e luftës. Ishte një krim mizor, i planifikuar dhe i kryer me qëllim të shfarosjes së shqiptarëve në tokën e tyre. Sot, në përvjetorin e këtyre masakrave, kemi kujtuar e nderuar me pietet edhe eprorët dhe luftëtarët e rënë të kësaj ane, që ranë në beteja të ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin: Skënder Çeku nga Qyshku, Jahë Kabashi, Blerim e Bekim Kelmendi, dhe Rifat Veseli nga Llabjani”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i AAK-së tha se ngjarje të tilla të dhimbshme dëshmojnë për rrugën e gjatë dhe me sakrifica drejt lirisë.

“Ngjarje të tilla të dhimbshme dëshmojnë për rrugën e gjatë dhe me plot sakrifica drejt lirisë, por edhe për plagët që ende nuk janë shëruar. Kosova është e mbushur me varre të civilëve të ekzekutuar nga shteti serb në përpjekje për spastrim etnik dhe shumë prej këtyre varreve vazhdojnë të jenë të zbrazëta. Krimet e Serbisë nuk mund të harrohen e as të falen. Drejtësia për viktimat duhet të vihet në vend!”, u shpreh ai.