Në Viti u përkujtua gazetari i “Associated Press”, Kerem Lawton, i cili u vra në vitin 2001 gjatë raportimit nga konflikti i armatosur në Maqedoninë e Veriut. Në nderim të kontributit të tij, gazetarë nga Kosova e Shqipëria, përfaqësues institucionalë e partiakë, bënë homazhe në obeliskun e ngritur për lirinë dhe rolin e medias
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, në Viti u përkujtua gazetari i “Associated Press”, Kerem Lawton, i cili u vra në vitin 2001 gjatë raportimit në konfliktin e armatosur në Maqedoninë e Veriut.
Në nderim të punës së tij, gazetarë nga Kosova e Shqipëria, përfaqësues institucionalë e partiakë, bënë homazhe në obeliskun e ngritur për lirinë dhe rolin e medias.
Gjatë aktiviteteve të organizuara në këtë qytet, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Komisionit të Pavarur të Medias, Niman Racaj, vlerësoi ambientin në të cilin operojnë mediet në Kosovë.
“Duhet ta potencojmë se si shoqëri kemi punuar mjaft që liria e shprehjes dhe e medieve të jenë në nivelin e duhur. Mendoj që nuk jemi keq si vend. Ka nevojë për përmirësime, si në çdo aspekt tjetër të shoqërisë, mirëpo në aspektin e medieve mendoj që jemi mirë”, ka thënë Racaj
Ndryshe nga ky vlerësim, Kosova shënoi rënie për 24 pozita në Indeksin e Lirisë së Shtypit, që e publikoi një ditë më parë organizata “Reporterët pa Kufij”.
Rrecaj shtroi nevojën për t’i adresuar sfidat e identifikuara.
“Ky raport duhet të shërbejë për një lloj reflektimi që na bën të mendojmë për të ardhmen”, ka thënë ai.
Në tryezën që u mbajt në ditën e lirisë së shtypit, fokusi u vu te ndikimi i inteligjencës artificiale në prodhimin dhe shpërndarjen e lajmeve.
Florentina Dushi, guvernatore e Distriktit Rotarian Shqipëri-Kosovë, vlerësoi se publiku sfidohet nga përballja me sasi të madhe të informatave.
“Arritja shumë e shpejtë e lajmit dhe e shumë lajmeve në të njëjtën kohë, gjë që e lejon inteligjenca artificiale dhe për këtë ne fillojmë të përjetojmë sensacione brenda sekondave dhe në aspektin kognitiv e kemi të pamundur që t’i përpunojmë të gjitha informatat që i pranojmë”, ka thënë Dushi.
Në Viti për herë të dytë është ndarë edhe çmimi “Ibrahim Sefedini”, i cili iu nda gazetarit Muhamet Jashanica.