Arbëri

Rishikimi i buxhetit: Përdorimi i 300 milionë eurove të pakos emergjente nxit dyshime te deputetët

300 milionë euro të parapara për pakon emergjente dhe atë të rimëkëmbjes nuk dihet ende se si do të shfrytëzohen. Rishikimi i buxhetit nuk e ka saktësuar ndarjen e mjeteve për masat e parapara në këto pako.

Pa këtë saktësim, Projektligji për rishikimin e buxhetit pritet që të shqyrtohet në lexim të dytë të mërkurën.

Kërkesa për saktësimin e këtyre mjeteve sipas kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Hekuran Murati, nuk ka marrë mbështetje nga anëtarët, raporton KOHA.

Deputetët kanë bërë kërkesa edhe për projekte të reja kapitale.

Ndërkohë, në mungesë të kuorumit, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim nuk ka shqyrtuar projektligjin për rishikimin e buxhetit.

Kryesuesi i këtij komisioni Albert Kinolli theksoi se prej 18 anëtarëve vetëm shtatë deputetë ishin të pranishëm dhe s’kishte kuorum për shqyrtimin e kësaj pike të rendit të ditës.

Ndërkohë, deputeti Elmi Reçica theksoi se për hir të gjendjes së vështirë nga pandemia, PDK mbështet rishikimin.

Të pranishëm në këtë Komision nuk ishin deputetët e Listës Serbe.

Shkaku i vonesave në rishikim të buxhetit, qytetarët nuk i kanë marrë ende mjetet e premtuara nga Pakoja emergjente Fiskale, e miratuar në mars nga ish-Qeveria Kurti.