Arbëri

Përçahen kuvendarët e LDK-së në Ferizaj

Këshilltarët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Ferizajt, të cilët gjatë muajve të fundit kërkonin unifikim të degës së kësaj partie në këtë qytet, tash kanë nisur ta kritikojnë njëri-tjetrin për veprimet e tyre të fundit politike e individuale.

Pesë prej këtyre kuvendarëve tashmë kanë dalë publikisht për ta përkrahur presidenten në detyrë Vjosa Osmanin e cila pritet të hyjë në garë në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, kurse pjesa tjetër janë rikthyer në përkrahje të degës së LDK-së në Ferizaj e cila drejtohet nga zëvendësministrit për Zhvillim Ekonomik, Muharrem Svarqa.

Kuvendarët e LDK-së nga Ferizaj kanë bërë edhe një postim dhe kanë publikuar një fotografi në rrjetin social në Facebook me presidenten në detyrë Vjosa Osmanin.

“Aty ku është konsistenca, mbajtja e fjalës dhe interesi i Kosovës jemi edhe ne. Me presidenten Vjosa Osmani. Me Kosovën”, thuhet në postimin e grupit të kuvendarëve të LDK-së. Ky grup i kuvendarëve sipas një shkrese para pak ditësh kishin kërkuar takim me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, por që nuk ishte realizuar.

Ndërkohë Koha ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga Burim Karameta i cili është njëri nga iniciatorët e këtij grupi, por ai nuk i është përgjigjur pyetjeve.

Ndërkohë, Gëzim Kokollari, kuvendar i LDK-së, i cili ishte pjesë e këtij grupi dhe i cili vazhdimisht ka kërkuar unifikim të degës së partisë në Ferizaj, tashmë është distancuar nga veprimet e kolegëve të vetë me arsyetim se do të qëndrojë sërish në LDK.

“Unë, si pjesë e grupit për unifikimin e LDK-së në Ferizaj, iniciativë të cilën e morëm me qëllimin më të mirë për t’u bërë bashkë të gjithë, pa përjashtim, në shtëpinë tonë të madhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, distancohem nga veprimi i fundit i disa anëtarëve të kësaj iniciative. Miqve të mi dua të ju them që asnjëherë nuk kam besuar që dikush nga ne do ta përdorë këtë iniciativë si trampolinë për ta rritur pazarin në ndonjë subjekt tjetër”, ka thënë Kokollari përmes një reagimi.

Ai ka shtuar se do të vazhdon të angazhohet me tërë qenien për unifikimin dhe forcimin real të LDK-së.

“Personalisht secilit nga ta i dëshiroj suksese, por as ne që i besuam njëri tjetrit dhe as LDK nga e cila morëm pozita të larta nuk ua patëm borxh këtë veprim”, ka shtuar ai.

Kurse kryetari i LDK-së në Ferizaj, njëherësh zëvendësministër në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Muharrem Svarqa ka thënë për Kohën se në emër kinse të unitetit në LDK ata kanë treguar që qëllimi i tyre primar ka qenë interesi personal sepse edhe s’quhen si përfitues të LDK-së.

“Në emër të punëve të mira kanë ndodhur shumë punë të dëmshme për njerëzimin. Tash u pa më në fund se ata janë njerëz që ju kanë nënshtruar ndikimit të një euforie momentale dhe kaluese por që qëllimi i tyre kryesor ka qenë forcimi i pozitave të tyre brenda LDK-së me motivin e shkaktimit të dëmit të kësaj partie që pas braktisjes dhe për të shkuar në parti të tjera kinse si faktor. LDK-ja do ta kthejë këtë në forcë dhe mobilizim në këto zgjedhje”, ka thënë Svarqa.