Arbëri

Për tre vjet asnjë seancë për rastin e kalimit të 99 valixheve pa kontroll

aeroporti

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari"

Janë bërë tre vjet që nuk është zhvilluar asnjë seancë për rastin e kalimit pa kontroll të 99 valixheve në depon e një aeroplani, gjatë grevës së 2019-s të punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Prokuroria, përveç personit që ka lejuar kalimin e valixheve pa kontroll, i ka akuzuar edhe tre punonjës që e patën iniciuar rastin në organet kompetente. E njëri prej tyre kërkon që organet e drejtësisë të mos e zvarrisin më tutje lëndën

Ka tre vjet që Gjykata Themelore në Prishtinë nuk e ka mbajtur asnjë seancë për rastin e kalimit të 99 valixheve pa kontroll për në depon e një aeroplani, gjatë grevës së punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës më 2019.

Kalimi i valixheve u pati kualifikuar si rrezikim i jetës së pasagjerëve dhe i ekuipazhit, i sigurisë së aviacionit civil dhe i imazhit të Kosovës. Lidhur me rastin katër persona janë akuzuar për veprën penale: “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.  Sipas aktakuzës, me datë 19 gusht të 2019-s, gjatë grevës së punëtorëve të Aeroportit, i akuzuari M.A mbikëqyrës i Sistemit Automatik kishte lejuar kalimin e 99 valixheve për në depon e Aeroplanit, pa kryer procedurat e nevojshme të kontrollit.

Lidhur me këtë tre punonjës të sistemit të kontrollit me rreze X, Visar Xhekaj, E.B. e F.G. që ishin në grevë, iniciuan rast tek organet kompetente. Xhekaj thotë se pas kësaj Aeroporti i ka larguar nga puna e Prokuroria i ktheu nga dëshmitarë në të akuzuar, shkaku i mosveprimit për parandalimin e kalimit të valixheve.

“Unë faktikisht e kam iniciuar prej fillimit, së bashku me kolegët e mi. Në bazë të procedurave të operimit brenda aeroportit ne e kemi lajmëruar rastin ashtu siç është dashur me rregullore. Dhe jemi përfshirë, prej dëshmitarëve kemi kaluar në të dyshuar dhe presim që edhe drejtësia të flasë fjalën e saj”, ka thënë Xhekaj.

Shpëtim Sadiku, avokat i Xhekajt, tregon se lidhur me rastin është mbajtur vetëm një seancë fillestare më 2020 dhe asnjë tjetër.

“Seanca fillestare është mbajtur në vitin 2020. Kërkesa për hedhje të aktakuzës është bërë më datë 15.7.2020. Më datë 27.7. 2020 është refuzuar kërkesa nga Gjykata e shkallës së parë. Më datë 13.8.2020 kemi ushtruar ankesë. Më datë 14.9.2020 është refuzuar ankesa nga Gjykata e Apelit dhe nga kjo datë më nuk kemi pranuar asnjë ftesë për seancë”, ka thënë Shpëtim Sadiku, avokat i Xhekajt.

Për arsyet e zvarritjes së lëndës, nga Themelorja në Prishtinë nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS. Vitin e shkuar u raportua se prokurorja e rastit e ka punësuar të birin në pozitën e operatorit të skenimit në aeroport.

E Xhekaj i shpreh disa dyshime rreth zvarritjes së deritanishme të lëndës së tij.

“Aeroporti është një institucion shumë i fuqishëm dhe që mund të ketë ndikim shumë lehtë gati në të gjitha vendet ku ai mund të mbërrij... Aty ka persona mjaft të fuqishëm që kanë mundësi me arrit te instancat më të larta të shtetit, jo vetëm tek gjykatat”, është shprehur Xhekaj.

99 valixhet e kaluara pa u skanuar, sipas aktakuzës, dyshohen si të kontaminuara. Ndryshe nga tre punonjësit e larguar nga puna, personi që e lejoi kalimin e tyre ende e vazhdon punën në Aeroport.