Arbëri

Për shkak të shiut, shtyhen gërmimet për të pagjeturit në Kozhle të Novi Pazarit

Kozhle

Gërmimet për të pagjeturit në Kozhle të Novi Pazarit, janë shtyrë për shkak të reshjeve të shiut. Pavarësisht se ishte planifikuar të fillonte sot, reshjet e dendura e kanë vështirësuar punën në terren.

Megjithatë mjeku ligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore Valon Hyseni, tha se gërmimet pritet të nisin nesër, ndërsa planifikimet janë që të përfundojnë brenda dy javësh.

“Dje veç kemi filluar punimet e para, mirëpo sot është dashur që ekipi i mjekësisë ligjore të jetë atje prej orës 10:00, por në bashkërendim me kompaninë që është duke kryer gërmimet kemi rënë dakord që sot të pushojnë punët pasi që atje është një shi i dendur që nga nata dhe ka qenë e pamundur të dilet poshtë në lokacion për shkak se është vend malor dhe deponi e mbeturinave... Nga sot ekipet tona do të jenë të pranishme atje deri në përfundimin e punimeve”, deklaroi Hyseni për KosovaPress.
Hyseni tutje deklaroi se informacionet preliminare tregojnë se bëhet fjalë për varrezë masive, ndonëse nuk ka shifra të sakta.

“Nga praktikat e mëhershme deri tash në lokacionet e Serbisë gjithherë kemi hasur në vend-varreza masive e jo varre individuale. Nga informatat preliminare që kemi pretendohet që ekziston varrezë masive dhe shpresojmë që të paktën ata që na mungojnë t’i gjejmë në atë lokacion…Nuk kemi zyrtarisht asnjë shifër se sa mund të jetë numri potencial që mund të gjendet në atë vend-varrezë nëse veç kemi gjetje pozitive”, theksoi Hyseni.

Të mërkurën, anëtarë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur së bashku me mjekë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë përfunduar inspektimet në Kozhle afër Novi Pazarit ku po dyshohet për varrezë masive.

Krahas gjendjes atmosferike, terreni konsiderohet i vështirë edhe për shkak se lokacioni ku dyshohet se është varrezë masive është edhe deponi mbeturinash.

Gërmimet për gjetjen e të pagjeturve do të vazhdojnë edhe në dy lokacione tjera në Novi Pazar: Kosnareva pastaj Banja e Novi Pazarit. Gjithashtu të shënjuara janë edhe Batajnica dhe Perushaca.