Arbëri

Për një muaj inspektorati në Lipjan shqyrtoi 233 lëndë e inspektime të ndryshme

Komuna e Lipjanit

Inspektorati i Komunës së Lipjanit ka publikuar raportin e punës për muajin dhjetor në të cilin ka paraqitur të arriturat dhe sfidat me të është përballur gjatë fundvitit.

Gjatë muajit dhjetor në fokus ishte inspektimi i lokaleve afariste derisa janë realizuar urdhëresa për regjistrim të tyre dhe urdhëresa për pranime teknike të lokaleve afariste.

Përveç kësaj, sipas raportit fokus i është dhënë edhe inspektimit të marketeve me arsyetime se në fund të vitit realizohen shitje të produkteve të ndryshme ushqimore në shpërputhje ndërmjet çmimoreve dhe arkave. Ndërkaq, rëndësi të veçantë sipas raportit i është kushtuar inspektimeve të kompanive të udhëtarëve ndaj të cilëve janë shqiptuar edhe fletëparaqitje, ndërkaq inspektorët e trafkut kanë shqiptuar fletëparaqitje edhe për dëmtuesit e rrugëve dhe trotuareve pa pëlqimin e komunës.

Sipas inspektoratit gjatë muajit dhjetor janë shqyrtuar gjithsej 233 lëndë dhe inspektime në fusha të ndryshme.

Në fushën e biznesit janë shqyrtuar gjithsejtë 108 lëndë përfshirë fletëparaqitjet për gjykatë, procesverbalet, pranimet teknike etj. Pastaj në sektorin e trafikut janë shqyrtuar 71 lëndë, në sektorin e ambientit 19 dhe në fushën e ndërtimit 35 lëndë.

Drejtori i inspektoratit Flamur Sylejmani, nëpërmjet raportit për muajin dhjetor ka sqaruar se kanë mbajtur takime me pronarët e bizneseve dhe qytetarët në mënyrë individuale derisa gjatë muajit dhjetor nuk kanë organizuar ndonjë diskutim publik.

“Gjatë muajit dhjetor kemi mbajtur takime kryesisht me pronar të bizneseve, me qytetar, me pronar të ndërtimeve dhe me taksistët. Si sfidë janë shënuar aktivitete në inspektim të bizneseve të pa regjistruara dhe pa pranime teknike. Pastaj, janë bërë inspektime të ndërtimeve pa leje ndërtimore përgjatë zonave urbanistike-ndërtuese dhe parandalimi i tyre duke ndërmarr pasa ligjore. Janë bërë inspektime të rrugëve dhe trotuareve në qytet si dhe mbrojtja e hapësirave gjelbëruese, ndalimi i hedhjes së mbeturinave inerte në toka bujqësore etj”, ka thënë Sylejmani.

Ai ka rekomanduar qytetarët të cilët hasin në ndonjë parregullsi në secilën fushë, ta lajmërojnë inspektoratin komunal në mënyrë që cilësia e shërbimeve për qytetarët të shënoi rritje.

Ndërkaq, sipas raportit, inspektorët gjatë muajit dhjetor janë përballur me një varg telashe në fusha të ndryshme. “Është inspektuar që dita e hënë, ditë tregu, të mos krijohen vështirësi për këmbësoret në trotuare, madje nuk është lejuar asnjë lloj shitje as vikendeve jashtë tregut. Inspektim i vazhdueshëm është bërë edhe në tregun e mobileve dhe të kafshëve.

Janë inspektuar në vazhdimësi zonat: ekonomike, industrial dhe urbane. Janë inspektuar rastet e ndaluara për shkak të mungesës së lejes së ndërtimit dhe janë ndaluar dy raste të reja në fazën fillestare të ndërtimit’, thuhet në raport.

Sipas inspektoratit, janë realizuar inspektime në deponi të mbeturinave , andaj sipas tyre kjo ka ndikuar në zvogëlim të numrit të ndezjeve të mbeturinave.

“Janë bërë inspektime edh në furra të gëlqeres derisa inspektorati ka hasur në dy të tilla të cilat po prodhonin gëlqere”, thuhet midis të tjerash në raport.