Arbëri

Për një muaj 257 fëmijë në Ferizaj trajtohen përmes platformës “online”

Që nga fillimi i pandemisë me rekomandime të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj pati ndërprerë vizitat shtëpiake për kujdesie të nënave dhe fëmijëve nën moshën 3 vjeç.

Ndërkohë, menaxhmenti i këtij institucioni që nga atëherë kishte ndërtuar një platformë “online” me qëllim që gratë shtatzëna, nënat dhe fëmijët e tyre deri në moshën 3 vjeç mos të mbesin pa shërbime. Kjo ka bërë që gjatë kësaj periudhe kohore sipas statistikave qindra e mijëra nëna kanë marrë shërbime mjekësore përmes platformës “online”. Ndërkohë vetëm gjatë muajit tetor ekipet mobile kanë realizuar gjithsejtë 257 vizita për fëmijë nën moshën 3 vjeç përmes kësaj platforme, pastaj 71 vizita të nënave pas lindjes dhe dhjetëra gra shtatzëna.

Nadire Ymeri, drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, ka thënë për KOHEN se vazhdimisht gratë shtatzëna dhe nënat e fëmijëve nën moshën 3 vjeç marrin shërbime përmes platformës “online”.

Sipas saj efektet do të ishin më të mira nëse këto vizita realizohen në terren, mirëpo një gjë e tillë është ndaluar që nga fillimi i pandemisë.

“Ekipet tona asnjëherë nuk janë ndalur për t’i dhënë shërbime mjekësore grave shtatzëna, nënave që kanë fëmijë nën moshën 3 vjeç, por kujdes të veçantë i është kushtuar edhe grave të porsalindura në mënyrë që kujdesi ndaj fëmijëve të jetë sa më i mirë. Kjo ka bërë që për çdo ditë kemi shumë raste të grave që kërkojnë shërbime përmes platformës, ndërkaq edhe stafi mjekësor me profesionalizëm po e kryejnë punën e tyre”, ka thënë Ymeri.

Ndërkaq sa i përket vizitave shtëpiake të kujdesit paleativ dhe për të moshuarit me sëmundje të ndryshme, Ymeri shpjegon se QKMF-ja ka vazhduar me këtë shërbim edhe në kohë të pandemisë.

“Shërbimet shtëpiake për kujdes paleativ dhe për të moshuarit nuk i kemi ndërprerë asnjëherë sepse kërkesat dhe nevojat e qytetarëve kanë qenë të mëdha, andaj edhe niveli qendror nuk ka pasur ndonjë masë për t’i ndërprerë këto shërbime”, ka shtuar ajo.