Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) të mërkurën ka njoftuar se nga data 5 deri më 13 maj 2025 janë raportuar nëntë raste të reja të fruthit në vend. Rastet janë evidentuar në Ferizaj (4), Shtime (2), si dhe nga një rast në Lipjan, Graçanicë dhe Fushë-Kosovë.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, të gjitha rastet përfshijnë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (fruth, rubeollë dhe shyta). Shtatë prej tyre janë të moshës 1–2 vjeç, ndërsa dy raste janë të moshës 4–5 vjeç.
Instituti thekson se këto nuk janë më vetëm raste të “importuara” nga jashtë vendit, por raste të fruthit të shfaqura brenda komunitetit në Kosovë –pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vaksinimit.
IKSHPK-ja në njoftim ka rikujtuar se fruthi është sëmundje shumë serioze, gjashtë herë më ngjitëse se gripi. Sipas ekspertëve, 1 në 5 persona të infektuar me fruth mund të zhvillojnë komplikime të rënda shëndetësore, si infeksione të veshit, pneumoni, humbje të përhershme të dëgjimit, inflamacion të trurit dhe në disa raste edhe vdekje.
Fëmijët e pavaksinuar nën moshën pesë vjeç janë më të rrezikuarit.
IKSHPK-ja ka bërë thirrje për vaksinim urgjent të fëmijëve në QKMF-të komunale.
“Vaksina MMR jepet në dy doza: e para në moshën 12 muajshe dhe e dyta në moshën 6 vjeçare. Vaksina është në përdorim për më shumë se 60 vjet dhe konsiderohet shumë e sigurt dhe efektive, duke ofruar mbrojtje pothuajse të plotë ndaj fruthit”, thuhet në njoftim.
Instituti ka porositur edhe institucionet arsimore që të informojnë prindërit për vaksinimin e detyrueshëm të fëmijëve sipas Qarkores Informuese Nr. 05/2005, zbatimi i së cilës do të mbikëqyret nga inspektoratet përkatëse.