Gjatë javës së kaluar Policia Rajonale e Ferizajt ka vazhduar aktivitetin me kontrolle të ndryshme për parandalim të përhapjes së pandemisë Covid19. Ndërkohë janë marrë masa dhe janë shqiptuar gjoba ndaj shkelësve të rekomandimeve anti-covid.
Vetëm gjatë periudhës 24 deri më 30 maj të këtij viti sipas raporteve të Stacionit të Policisë në Ferizaj janë shqiptuar 318 gjoba për mosrespektim të rekomandimeve për mbajtje të maskës, pastaj për mosrespektim të qarkullimit të lëvizjes janë shqiptuar 24 gjoba.
Gjithashtu janë kontrolluar 196 lokale, dy prej tyre janë mbyllur si pasojë e shkeljeve ligjore. Ndërkohë sipas raporteve të Policisë gjatë kësaj periudhe kohore janë shënuar dhjetë raste të vjedhjeve, prej tyre dy raste të vjedhjeve të rënda. Ndërkohë janë regjistruar 38 raste të aksidenteve në komunikacion, derisa një prej tyre është regjistruar me fatalitet. Sipas Policisë, gjatë periudhës 24 deri 30 maj janë shqiptuar 418 gjoba në komunikacion dhe janë konfiskuar 10 patentë shofer. “Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, do të vazhdojë me aktivitete të tilla edhe në ditët në vijim, në parandalim dhe respektim të masave sipas vendimit të ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ligjit 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, gjithashtu do të vazhdojë me masa të shtuara në parandalim të incidenteve dhe aksidenteve në komunikacionin rrugor”, thuhet midis të tjerash në raportin e Policisë së Kosovës në Ferizaj.