Komunës së Lipjanit për herë të dytë po i dështon procesi për zgjedhjen e përfaqësuesve dhe këshillave të fshatrave e lagjeve urbane. Opozita në këtë komunë e ka akuzuar pushtetin se nuk po arrin t’i zgjedhë individët e favorshëm të pushtetit nëpër lokalitete, andaj po e anulon gjithë procesin. E, Komuna i ka hedhur poshtë këto pretendime
Komuna e Lipjanit sërish i ka ndërprerë zgjedhjet për përfaqësues të fshatrave dhe lagjeve urbane të qytetit.
Derisa herën e parë, zgjedhjet ishin ndërprerë shkaku i pandemisë, këtë radhë, sipas zyrtarëve, arsyeja qëndron te mospjesëmarrja e qytetarëve nëpër tubime.
Por, opozita thotë se ky proces, që ka përfunduar në 10 fshatra, është ndërprerë qëllimshëm nga ekzekutivi lokal për arsye të tjera.
Lulzim Rrustemi, kuvendar nga radhët e PDK-së, njëherësh anëtar i komisionit për zgjedhjen e përfaqësuesve të fshatrave, ka thënë se ekzekutivi e ndërpreu procesin në kohë të papërshtatshme.
“Arsyeja kryesore për ndërprerjen e këtij procesi zgjedhor është sepse qytetarët vendosen për njerëzit që ata i duan në udhëheqje dhe jo njerëz që janë në favor të pushtetit. Prandaj, përzgjedhja e kryetarëve dhe këshillave të fshatrave jo të favorshëm për pushtetin e qeverisjes komunale të Lipjanit i detyroi ata që përmes komisionit komunal ta ndërprenë procesin zgjedhor në fshatra dhe lagje urbane të qytetit”, ka thënë Rrustemi.
Në Degën në Lipjan të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se është shumë e rëndësishme që fshatrat t’i kenë përfaqësuesit e tyre legjitim, andaj anulimi i zgjedhjeve ishte i paarsyeshëm derisa kishte pjesëmarrje të mjaftueshme të qytetarëve në këto procese.
“Natyrisht, zgjedhja e përfaqësuesve të fshatrave është shumë e rëndësishme, sidomos në kohën kur ka dëgjime buxhetore, siç është rasti tash me Kornizën Afatmesme Buxhetore, në mënyrë që kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të adresohen nëpërmjet përfaqësuesve të tyre”, ka deklaruar Alban Salihu, shef i Grupit Parlamentar të VV-së në Kuvendin Komunal në Lipjan
Hyra Bytyqi, zëdhënëse e Komunës së Lipjanit, i ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës, ndërkaq ka njoftuar se ky proces do të vazhdojë në vjeshtë.
“Si proces ka ecur shumë mirë, ne kemi zgjedhur disa këshilla të fshatrave, mirëpo për shkak të mospjesëmarrjes së mjaftueshme të qytetarëve, është dashur të anulojmë për shkak se është sezoni veror dhe shumica e qytetarëve kanë shkuar në pushime dhe për këtë arsye e kemi shtyrë këtë proces për një datë tjetër”, ka thënë Bytyqi.
Rreth 60 kryetarë të fshatrave, sipas rregullores komunale, do të paguhen deri në 300 euro brenda vitit për mëditje dhe shpenzime të tjera.