Arbëri

Për dy muaj Policia në Kaçanik shqiptoi 640 gjoba për mosrespektim të masave Covid-19

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Kaçanikut ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera.

Në këtë mbledhje midis të tjerash është debatuar për situatën e sigurisë në përgjithësi e cila është konstatuar se është e qetë dhe stabile.

Ndërkohë Policia e Kosovës në këtë komunë gjatë dy muajve të fundit kanë shqiptuar gjithsej 640 gjoba për mosrespektim të masave kundër COVID-19, siç është mos bartja e maskës nga ana e qytetarëve dhe mos respektimi i orarit nga ana e bizneseve.

Komandanti i Policisë së Kosovës në Kaçanik, Halim Shehu, ka thënë se situata është e qetë dhe stabile.

“Gjatë periudhës dy mujore janë shqiptuar gjithsej 640 gjoba për mosrespektim të masave kundër COVID-19, siç është mos bartja e maskës nga ana e qytetarëve dhe mos respektimi i orarit nga ana e bizneseve”, ka thënë midis të tjerash Shehu.

Sipas tij, punimet në Bulevardin “Ismajl Raka” kanë vështirësuar qarkullimin nëpër qytet, ndërsa bëri thirrje për vozitësit e automjeteve që të mos parkojnë veturat në vende ku ndalohet parkingu, sepse po shkaktohet tollovi në komunikacion.

Ndërkohë, kryetari i Komunës, Besim Ilazi, ka thënë se situata me pandemi në komunën tonë është duke u menaxhuar mjaftë mirë.

“Jemi në mesin e shtatë komunave që qëndrojmë në zonën e gjelbër, ndërsa edhe në shkolla situata me pandeminë është duke u menaxhuar mirë, ku deri më tani sipas tij vetëm dy shkollat e mesme në komunën tonë, për dy javë kanë kaluar me mësim online, për t’u kthyer sërish tash me planin A, me mësim në shkollë”, ka thënë Ilazi.

Anëtarët e KKSB-së shpalosën disa ankesa të qytetarëve, siç janë sipas tyre vendimet e padrejta për gjoba për mos bartje të maskës- sidomos në veturë, mungesa e shenjave të komunikacionit etj, ndërsa aprovuan planin e punës së KKSB-së për vitin 2020.