Arbëri

Pensionistët kërkojnë të kontribuojnë e të fitojnë

Pensionet e ulëta dhe mungesa e mundësive për angazhim pas pensionimit janë ndër sfidat me të cilat përballen personat mbi 65 vjeç në Kosovë. Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, përfaqësues të institucioneve premtuan mbështetje për të moshuarit, porse kjo nuk është konsideruar e mjaftueshme nga vetë pensionistët

Ndonëse është në pension që prej dy vjetësh, infermierja Fekrije Hasani vazhdon që të japë kontribut në komunitet. Si njohëse e shëndetit publik, ajo është e angazhuar në një organizatë ndërkombëtare.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, ajo u bëri thirrje institucioneve që të krijojnë hapësira për përfshirjen e profesionistëve, edhe pas arritjes së moshës së pensionimit.

“Mendoj se nuk përfundon jeta me 65 vjet. Tek atëherë fillon, sepse është koha më e mirë kur mundemi të kontribuojmë edhe më shumë në të gjitha sferat. Një porosi e imja është që mos t’i harrojmë ata mbi 65 vjet, ata që janë të shëndetshëm dhe ndihen mirë të jenë të përfshirë në procese të punës, sepse eksperienca e fituar për mbi 40 vjet, unë apo të tjerët kolegë që i kam plot, është shumë e vlefshme”, është shprehur Hasani.

Mundësinë që Hasani e ka për t’u angazhuar me punë edhe pas pensionimit, nuk e kanë edhe shumë 65-vjeçarë të tjerë që ndihen të gatshëm për të kontribuar dhe për të fituar.

Pensionistët nuk kanë mundësi që të angazhohen në institucione publike dhe përballen me vështirësi financiare, për shkak të pensioneve të ulëta. 

Pensionisti Haki Gojnovci është shprehur i zhgënjyer me pensionin mujor në vlerë prej 120 eurosh.

“Jeto mirë, plaku mirë. Qysh jetohet mirë me 120 euro? Se për me u plakë mirë duhet me pas financa, duhet me ia plotësu nevojat e familjes, pastaj pjesa tjetër për rekreacion, për pushime, për udhëtime. Kah me 120 euro?, ka thënë Gojnovci.

Me moton “Personat e moshuar nxisin veprimin lokal dhe global”, të mërkurën në Kosovë është shënuar Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar. Me këtë rast, përfaqësues të institucioneve kanë folur mbi nevojën për hartimin e politikave të reja për këtë kategori të qytetarëve që e përbën 11-përqindëshin e popullsisë.

Ardita Baraku, e cila është drejtore në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), ka thënë se të moshuarit janë pjesëtarë aktivë të shoqërisë dhe se ndikimi i tyre në të gjitha fushat është i madh.

“Duhet bërë angazhime shtesë për kujdes shëndetësor të përshtatur për nevojat e të moshuarve, për mbrojtje sociale të përshtatur për ta, për ndërmjetësim, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet brezash në mënyrë që t’i ndihmojmë njëri-tjetrit ashtu si mundemi dhe mbi të gjitha mbindërtimin e politikave që do të ndikojnë në shëndetin publik, në një mirëqenie dhe një jetëgjatësi të të moshuarve”, ka thënë Baraku.

Edhe përfaqësuesi nga Ministria e Shëndetësisë, Shaban Osmanaj, ka shprehur përkushtimin e institucionit, të cilit i përket për përmirësimin e shërbimeve për pensionistët.

“Si ministri e Shëndetësisë dua të theksoj se institucionet tona janë të përkushtuara të bëjnë politika dhe programe që mundësojnë qasje dhe shërbime cilësore, kujdes parandalues, trajtim të duhur dhe mbështetje psikosociale për personat e moshuar. Ne nuk duam të sigurojmë jetëgjatësi, por të garantojmë që kjo jetë të jetë me dinjitet, aktivizëm dhe mirëqenie”, ka thënë Osmanaj.

Por jo të gjithë pjesëmarrësit në këtë organizim janë ndarë të kënaqur me ato që janë thënë gjatë tubimit për Ditën Ndërkombëtare të Personave të Moshuar. 

Pensionisti Gojnovci ka shprehur zhgënjim për diskursin institucional, teksa ka thënë se vetëm fjalët nuk janë të mjaftueshme.

“Sot kemi ardhur në këtë tubim.... duke shpresuar që këtu do të diskutohej për gjendjen financiare, për përmirësimin e gjendjes financiare të pensionistëve edhe kam marrë pjesë, përndryshe ligjëratat qe 65 vjet i dëgjoj, por ato janë boshe”, ka thënë ai.

E infermierja e pensionuar, Fekrije Hasani, u ka bërë thirrje institucioneve për kujdes të shtuar për të moshuarit që janë pa përkujdesje familjare.

“Kam edhe një porsi tjetër, nga puna në terren e shoh sa është, ne jemi duke shkuar kah moshimi si shoqëri dhe apel për Qeverinë tonë që të mendojnë për ndërtimin e më shumë shtëpive të pleqve, sepse neve po na zbrazet Kosova dhe të moshuarit mbesin vetëm, për atë duhet të mendohet edhe një strategji e mirë për kujdes ndaj të moshuarve, veçanërisht të atyre që nuk janë aktivë”, ka thënë Hasani.

Pensionistët përballen me diskriminim edhe në shërbime publike shëndetësore.

KOHA ka raportuar se personat mbi 65 vjeç, në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) detyrohen që të paguajnë me mijëra euro për proteza të gjurit dhe përjashtohen nga trajtimi në Klinikën e Psikiatrisë.