Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Peci e akuzon Ramën se po e bllokon ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë

Objekti i Ministrise se Bujqesise

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, e ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, se po bllokon ndërtimin e objektit të Ministrisë, duke mos e pajisur me kushte të ndërtimit. 

“Qytetarët e Prishtinës, por edhe qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që Përparim Rama ka bllokuar [do procedurë për ndërtimin e objektit të MBPZHR-së! Sot është dita e 73-të nga dita e paraqitjes së kërkesës dhe dita e 42-të e kalimit të afatit kohor që Përparim Rama ka mohuar pajisjen e MBPZHR-së me kushtet e ndërtimit të objektit!” – ka shkruar Peci në Facebook. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka thënë se janë bërë dhjetëra kërkesa për takime, porse është bllokuar me arsye të llojeve të ndryshme. 

“Rikujtojmë se Përparim Rama dhe ekzekutivi i Komunës së Prishtinës ka zvarritur në vazhdimësi përgjegjësitë ligjore të cilat iu takojnë karshi kërkesave tona respektivisht të MBPZHR-së, siç janë përgjegjësitë ndaj aksioneve të inspektorëve!  Qartësojmë për qytetarët e Kosovës, se bllokimi i ndërtimit të objektit të MBPZHR-së, ndër të tjerat mohon përfitimin e 160 milionë eurove për bujqësinë vetëm në vitin e parë nga akreditimi në IPARD, si dhe liron buxhetin e shtetit nga barra e qirasë së lartë. Njëherit ky objekt do të akomodojë zyrtarët e institucionit tonë dhe agjencive përkatëse ekzekutive.  Përparim, hap krahun përparimit të Kosovës”, ka shkruar Peci. 

Ndaj tij ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që ka thënë se Ministria nuk ka kompletuar dokumentacionin, duke thënë se mungon dokumenti i matjeve gjeodezike. 

“Përmes këtij reagimi, institucionet e Kryeqytetit përgënjeshtrojnë pretendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vonesat e shkaktuara nga organet e Kryeqytetit për t'u pajisur me kushtet ndërtimore për ndërtesën e Ministrisë.  Më tutje, sqarojmë se dokumentacioni i dorëzuar nga Ministria është i pakompletuar sepse i mungon dokumenti i matjeve gjeodezike, i cili është i domosdoshëm për lëshimin e kushteve ndërtimore.  Përndryshe jemi të habitur me aftësinë dhe kohën që gjen një ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës për t'u marrë me gjendjen shëndetësore të familjarëve dhe pushimet personale të stafit të Kryeqytetit”, thuhet në reagimin e Ramës.