Arbëri

PDK: Zgjidhja më e mirë është formimi i qeverisë me partitë ish-opozitare

pdk

Formimin e një qeverie të partive që kanë qenë në opozitë në mandatin e kaluar, Partia Demokratike e Kosovës po e sheh si zgjidhjen më të mirë për vendin. Kjo parti pas mbledhjes së Kryesisë së saj ka thënë se është e gatshme për takime me të gjitha subjektet politike.

PDK ka theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga e vetme për të dalë nga krizat politike dhe për të rikthyer normalitetin institucional. Ndërkohë, ka shprehur se presidentja mund të thërrasë takim me partitë.

“Në këtë frymë, konsiderojmë se Presidentja e Republikës, si institucion mbi-partiak dhe me mandat legjitim, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

PDK-ja i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të mos vazhdojë me propozimin e kandidatit të njëjtë për kryeparlamentar, por “të reflektojë për të mos e mbajtur peng edhe më tutje shtetin për interesa të ngushta partiake”.

“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik”.