Subjektet opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan kanë vazhduar me akuza ndaj ekzekutivit për “kurdisje” të konkurseve derisa në konkursin e fundit për shëndetësi, drejtoresha e komunale e këtij sektori, Merita Bytyqi, ka vendosur në komision motrën e vet e cila njëherësh është punonjëse e shëndetësisë në QKMF. Reagimet e opozitës janë përqendruar më së shumti te konkursi për laborant në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare me arsyetim se ai po i “kurdisej” një militanti të LDK-së i cili muaj më parë ka dhënë dorëheqje nga një subjekt tjetër.
Rreth kësaj çështje PDK, dega në Lipjan nëpërmjet një konference për media, ka akuzuar drejtoreshën e Shëndetësisë Merita Bytyqi me arsyetim se ka shkelur ligjin për konflikt të interesit. Sipas PDK-së, këto shqetësime janë edhe të qytetarëve derisa ekzekutivi po injoron qytetarët me veprime të tilla duke rehatuar militantë nëpër pozita publike.
Rinor Retkoceri, Kryetar i Rinisë së PDK-së, njëherësh anëtar i kryesisë në këtë subjekt, ka thënë se është pa aftësia e ekzekutivit për të menaxhuar me pandeminë dhe me probleme të cilat po u sjellë qytetarëve lidhur me proces e vaksinimit. Sipas tij, ekzekutivi vazhdimisht po mundohej t’i rehatoj militantët e vet partiak në arsim po edhe së fundi në shëndetësi.
“Dëshmi e kësaj keqqeverisje ishin radhët e gjata të qytetarëve duke rrezikuar shëndetin e tyre për të marr një vaksinë. Kjo për shkak se drejtoresha e departamentit në vend se të kujdeset për gjendjen e qytetarëve ajo nuk e ka këtë prioritet, por vetëm e vetëm deri sa ta gjen mënyrën për punësimin e militantëve partiak, duke bërë veprime skandaloze duke emëruar motrën e saj anëtar të komisionit për të pasur më të lehtë të ketë ndikimin e saj dhe kryetarit të komunës për të punësuar persona të afërt me ekzekutivin. Pra ajo ka rënë në konflikt të interesit me këtë veprim duke i shkelur ligjet në fuqi”, ka thënë Retkoceri.
Ai ka bërë me dije se PDK-ja i dënon këto veprime të ekzekutivit derisa qytetarët kanë nevojë për përkujdesje dhe mirëqenie. “Në kohën kur qytetarët dhe të rinjtë kanë nevojë më së shumti për mirëqenie, punësime etj, ekzekutivi e gjen mënyrën për t’i “kurdisur” konkurset me qëllim që të “rehatohen” familjarët dhe militantët e tyre nëpër pozita publike pa meritokraci”, ka thënë Retkoceri. Ai më tej ka përmendur edhe konkursin e fundit në sektorin e arsimit, pikërisht për drejtimin e Edukatës Fizike në shkollën e fshatit Dobrajë.
“Në këtë shkollë është pranuar (Y. S), i cili njëherit është kryetar i forumit rinor të LDK-së dhe Nënkryetar i FRL-së në Lipjan. Po në të njëjtën shkollë dhe të njëjtin profesion si mësimdhënës punon edhe babai i tij, andaj kjo është dëshmi se ky pushtet nuk e ka për qellim ngritjen e cilësisë në arsim, mirëpo qëllim të vetëm e ka rehatimin e militanteve dhe klientelës së saj”, ka shtuar ai, duke sqaruar se në këto konkurse po anashkalohen qytetarët që kanë mbikualifikime për pozita të caktuara.
Shkëlzen Bislimi, kuvendar në Kuvendin Komunal të Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka kritikuar drejtoreshën e Shëndetësisë Merita Bytyqi, për konflikt të interesit me arsyetim se në QKMF ka edhe punonjës të tjerë që mund të jenë pjesë e komisionit.
“Ekzekutivi i Lipjanit, përveç kurdisjes së tenderëve në projekte kapitale, po i kurdis edhe konkurset për punësimin e militantëve të vet dhe të individëve të caktuar. Këtë e dëshmon konkursi në arsim, ku në listë gjenden të pranuar si mësimdhënës edhe njerëz të cilët nuk kanë konkurruar fare. Së fundi, konkursi për laborantë në QKMF dyshoj se është duke u kurdisur për R.K. i cili muaj më parë ka dhënë dorëheqje nga kryesia e një subjekti politik vetëm që ta fitojë këtë vend të punës. Pra drejtoresha e Shëndetësisë në Lipjan, në këtë rast ka rënë në konflikt të interesit pasi ka vendosur motrën e vet në komision për ta bërë përzgjedhjen e kandidatëve në shëndetësi”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, kjo drejtoreshë në këtë mënyrë mund ta përdor autoritetin dhe ndikimin e saj për ta bërë përzgjedhjen e caktuar të militantit të LDK-së.
“Jemi duke e hulumtuar këtë kurdisje të këtij konkursi si dhe shumë konkurseve të tjera. Qytetarët e Lipjanit meritojnë transparencë, punësime me meritë e jo punësime partiake, familjare e militantiste”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër Merita Bytyqi, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Lipjanit nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES rreth akuzave të ngritura nga opozita, madje ajo gjatë së premtes nuk e ka hapur as telefonin.