Arbëri

PDK-ja kërkon rivotim në Mitrovicë

PDK

PDK ka deklaruar se realiteti politik është i qartë, që askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka thënë se në Komunën e Mitrovicës duhet të ketë rivotim.

Kjo pasi që në disa qendra në këtë Komunë, ndër më të mëdhatë në qytet, sipas tij, janë vërejtur parregullsi gjatë procesit të votimit.

Ai në një konferencë për media ka thënë se procesi zgjedhor në Mitrovicë është shoqëruar me presion të madh, me ndërhyrje në proces, me përdorim të institucioneve të shtetit dhe ndikim në votues.

Gruda ka thënë se kjo është vërejtur edhe në ditën e votimit, ku sipas tij, i gjithë kabineti qeveritar ka qëndruar në Mitrovicë.

“Gjatë ditës së djeshme, komisionerët tanë, gjatë procesit të numërimit, kanë vërejtur parregullsi të rënda: fletëvotime me një numër serik të caktuar, që u takonin një klase votimi, janë gjetur në klasë tjetër, madje edhe në qendra të tjera votimi. Pra, ka pasur bartje të një fletëvotimi nga një shkollë në shkollën tjetër. Me të marrë këto informacione, komisionerët e PDK-së kanë alarmuar menjëherë organet e rendit dhe drejtësisë, ndërsa përfaqësuesit tanë në KQZ kanë dalë në vendin e ngjarjes. Si pasojë, dhe siç tashmë e dini, procesi i numërimit është ndalur”, ka thënë ai.

Ai ka pretenduar se ka pasur bartje të fletëvotimeve nga qendra në qendër dhe sipas tij, kjo nuk ka guxuar të ndodhë, sepse ajo bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet dhe me Rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gruda ka thënë se kodi që ndodhet në çdo fletëvotim shërben si element identifikues i vendvotimit dhe si mekanizëm sigurie për të parandaluar bartjen e fletëvotimeve nga një qendër në tjetrën.

Sipas tij, ky kod është një nga elementet themelore të integritetit zgjedhor, që mbron vullnetin e lirë të qytetarit nga çdo tentim manipulimi apo keqpërdorimi.

Prandaj, ka shtuar se çështja e kodit nuk është thjesht teknike, por një çështje thelbësore ligjore dhe kushtetuese që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e votës dhe legjitimitetin e rezultatit zgjedhor.

“Rastet e konstatuara konkretisht janë këto: Në shkollën “Abdullah Shabani”, janë gjetur tre fletëvotime që i takonin klasave të tjera. Në shkollën “Ismail Qemali”, është gjetur një fletëvotim që i përkiste qendrës “Universiteti Isa Boletini”. Në një klasë të shkollës “Abdullah Shabani”, është gjetur fletëvotimi që i takon qendrës së votimit të shkollës “Migjeni”. Në shkollën “Migjeni”, janë gjetur gjithashtu fletëvotime të bartura nga një klasë në tjetrën”, ka thënë ai.

Ka shtuar se presin që të ketë akoma më shumë gjetje, në përfundim të të gjithë procesit të hetimit.

Sipas Grudës, në aq kuti sa janë numëruar deri më tani në Mitrovicë, është vërejte se ka po aq fletëvotime të bartura nga një klasë në tjetrën, apo nga një qendër në tjetrën.

“Të gjitha këto dyshime shtohen, kur ne e shohim që Mitrovica është e vetmja komunë në Kosovë, ku dalja në votime në balotazh është me madhe sesa në raundin e parë. Ju e dini, në vitin 2011, Mitrovica ka shkuar në rivotim për shkak të dështimit të baterive, si rrjedhojë e dështimit të KQZ-së për të garantuar proces zgjedhor të rregullt. Këtë herë, dështimi i KQZ-së është më i madh, më serioz dhe absolutisht më ndikues në lëndim të procesit”, ka thënë ai.

Ka shtuar se të gjitha këto janë shkelje të qarta të Ligjit për Zgjedhjet dhe të Rregullave të KQZ-së, që ngrenë dyshime të bazuara për lëndim të procesit zgjedhor dhe për aktivizim të të ashtuquajturit “treni bullgar”, një mekanizëm i njohur që mundëson blerjen ose manipulimin e votës.

“Siç e dini, për ta vënë në funksion atë mekanizëm, mjafton një fletëvotim i devijuar. Në këtë rast, kemi disa fletëvotime që janë gjendur në vende të gabuara. Partia Demokratike e Kosovës, përveç denoncimeve të bëra dhe dorëzimit të fakteve pranë organeve të rendit dhe drejtësisë, do të dorëzojë sot zyrtarisht ankesën në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Në këtë ankesë, do të përfshihen të gjitha provat dhe dëshmitë relevante të mbledhura nga komisionerët tanë në qendrat e votimit.

Ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se integriteti i procesit zgjedhor në Mitrovicë është cënuar rëndë.

“Janë shkelur Ligji për Zgjedhjet, rregullat e KQZ-së, si dhe standardet e Komisionit të Venecias për një proces të drejtë dhe të lirë zgjedhor”, ka thënë ai. “Sepse vetëm përmes një procesi të pastër, mund të garantohet legjitimiteti i rezultatit dhe besimi i qytetarëve në demokraci. PDK siguron qytetarët e Kosovës se do të ndjekë çdo rrugë ligjore dhe institucionale për të garantuar që e vërteta të dalë në dritë dhe që çdo aktor përgjegjës të përballet me drejtësinë”.