Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja e konsideron të përmbyllur kontributin e saj për zgjedhjen e presidentit

Bedri Hamza

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të përmbyllur kontributin e saj për zgjedhjen e presidentit. 
Këshilli Drejtues i PDK-së ka mbajtur mbledhje të hënën, ku edhe ka miratuar një deklaratë politike, përmes së cilës ka shprehur qëndrimin zyrtar të PDK-së lidhur me çështjen e presidentit ndër  të tjera. 

“PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Për PDK-në, stabiliteti institucional ka qenë çështje parimore dhe e interesit shtetëror, e jo objekt i negocimit politik. Përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces”, thuhet në deklaratë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Teksti i plotë i Deklaratës Politike të Këshillit Drejtues të PDK-së:

•           Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, sot, më datë 20 prill, ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar për zhvillimet partiake dhe politike, procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. PDK, si subjekt politik shtetformues dhe shtetndërtues, riafirmon përkushtimin e saj në mbrojtje të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe funksionimit demokratik të shtetit.

 

•           PDK vlerëson se Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale, të shkaktuara drejtpërdrejt nga shumica parlamentare, e cila përmes bllokadave të vazhdueshme dhe mungesës së përgjegjësisë shtetërore po e paralizon funksionimin normal të institucioneve, po i politizon ato dhe po e dëmton interesin qytetar e shtetëror.

 

•           PDK thekson se vendi nuk duhet të mbahet peng nga kalkulime politike dhe interesa të ngushta partiake. Vazhdimi i kësaj gjendjeje, i shkaktuar nga pushteti aktual, është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për funksionimin demokratik dhe institucional në Kosovë.

 

•           PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Për PDK-në, stabiliteti institucional ka qenë çështje parimore dhe e interesit shtetëror, e jo objekt i negocimit politik.

Përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces.

 

•           Në lidhje me procesin gjyqësor në Hagë, kur procesi tashmë është në fazën finale, PDK shpreh pritjen dhe kërkesën e saj që vendimi përfundimtar të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova të besueshme, larg çdo ndikimi politik apo perceptimi të njëanshëm. PDK riafirmon bindjen e saj të palëkundur në pafajësinë e liderëve të UÇK-së dhe në pastërtinë e luftës çlirimtare.

 

•           Partia Demokratike e Kosovës rithekson orientimin e saj të qartë euroatlantik dhe kërkon forcim të menjëhershëm të partneritetit strategjik me aleatët tanë, si garanci për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e shtetit.

 

•           Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja ekonomike është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa qytetarët po përballen me rritje të papërballueshme të kostos së jetesës. Për këtë arsye, kërkohen masa urgjente, konkrete dhe efektive për mbështetje ekonomike dhe lehtësim të barrës financiare për qytetarët.

 

•           Po ashtu, Këshilli Drejtues rithekson se zgjedhjet e brendshme partiake duhet të mbahen gjatë vitit 2026, me qëllim forcimin e demokracisë së brendshme, përfshirjen e potencialit të ri politik dhe ndërtimin e një alternative të avancuar qeverisëse.

 

•           Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti, forcë konstruktive politike dhe alternativë serioze për qeverisjen e vendit.

 

Hamza: Na u ofrua pozita e kryekuvendarit në këmbim të nënkryetarit, ofertë joserioze

58 min. më parë / 20 pri 2026 20:23
Bedri Hamza

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se sot ka pranuar një ofertë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku PDK-së i është ofruar pozita e kryekuvendarit në këmbim që pozitën e nënkryetarit ta marrë Vetëvendosja dhe deputetët e PDK-së të qëndrojnë në sallë në votimin për zgjedhjen e presidentit. 

“E para nuk është serioze kjo, pasi Kryesia e Kuvendit është e konstituar, Kuvendi është i konstituar, nuk e kemi kontestuar këtë çështje. S’po flasim për kryetar të Kuvendit, s’kemi shkuar të kërkojmë as pozitë për veti. Kemi shkuar që vendit me i dhënë institucionale, stabilitet institucional e politik. E dyta nuk është fare serioze. Dhe e treta, që është më me rëndësi, nuk është as Kushtetuese”, tha Hamza për media pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së. 

Hamza ka thënë se gjatë takimeve që ka pasur me Kurtin ka folur për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, e po ashtu ka bërë të qartë se në rast se propozohet ndonjë kandidat nga familja Jashari atëherë do të ketë 22 votat e PDK-së. 

Po ashtu ka thënë se është propozuar që president të zgjidhet një i propozuar nga PDK-ja, jo domosdoshmërish nga strukturat e kësaj partie. 

Ai tha se kjo nuk ishte pranuar. 

“Po fol për parime, kritere, marrëveshje dhe për emra. Nuk mund tëjapësh emrin pa e pasur marrëveshjen politike dhe një pajtim”, tha Hamza. 

Hamza ka thënë se për PDK-në është i mbyllur kontributi për zgjedhjen e presidentit. Sa i përket zgjedhjeve të reja, ai ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditëve, nëse nuk zgjedhet presidenti deri më 28 prill.