Arbëri

PDK-ja e AAK-ja ia tregojnë shoqërisë civile “zgjidhjen” për daljen nga ngërçi

Memli KRasniqi - shoqeria civile

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë në takime të ndara me përfaqësues të shoqërisë civile të enjten kanë përsëritur propozimet e tyre për dalje nga ngërçi në Kuvend.

Edhe pse kanë kaluar gati katër muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, deputetët ende s’kanë zgjedhur kryeparlamentarin duke mos e konstituuar legjislaturën e nëntë. Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje fillimisht dështoi që të marrë shumicën në propozimin me emrin e Albulena Haxhiut dhe më pas në propozimin që të kalohet në votim të fshehtë. Këto dështime janë përsëritur në 27 seanca deri tash.

Në takim me përfaqësues të shoqërisë civile, Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka thënë se ngërçi është pasojë e “paaftësisë dhe mungesës së vullnetit të koalicionit që ka dalë i pari në zgjedhje për të mundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës”.

Ai ka thënë se PDK-ja qëndron në propozimin që të ndërrohet emri i kandidates aktuale të VV-së.

“Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për kryeneçësi politike. Ka nevojë për stabilitet, jo për kriza. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për lidership që di të zgjedhë rrugën e shtetit, para interesave të ngushta partiake”, ka shtuar ai.

Ndërkaq Ramush Haradinaj i AAK-së ka thënë se partia e tij si zgjidhje ka edhe emrat që tashmë i ka shprehur në publik – Shqipe Selimi dhe Saranda Bogujevci – që do të mbështeteshin edhe nga kjo parti.

Edhe ai ka akuzuar VV-në për bllokadë. Ka thënë se bllokada po i kushton vendit me pasoja politike, institucionale e ekonomike.

Ka kujtuar edhe se AAK-ja i është drejtuar Kushtetueses për interpretim të nevojshëm.

Ndërkaq në një komunikatë të organizatave të shoqërisë civile është bërë e ditur se takimet janë mbajtur me qëllim të hapjes së dialogut për tejkalimin e bllokadës. Këto organizata kanë thënë se kërkojnë nga partitë të lëvizin nga pozicionet.

“Mesazhi ynë për të gjitha partitë politike është i qartë: të lëvizin nga pozicionet e tyre bllokuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit duke treguar përgjegjësi dhe qasje konsensuale. Paraliza institucionale si kjo po shkakton dëme dhe humbje për të gjithë ne. Mungesa e ligjvënies, mbikëqyrjes së ekzekutivit, mospërmbushja e obligimeve për të përshpejtuar integrimet dhe zhvillimin ekonomik, po shpërfaqet në humbjen e besimit dhe durimit qytetar, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.