Arbëri

PDK-ja dhe VV-ja përplasen për UÇK-në

Ka nxitur reagime akuza e deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, sipas të cilit, Vetëvendosja ka propozuar për kryeparlamentar deputetët me “rekord të zi” kundër UÇK-së. Atij i janë kundërpërgjigjur me akuza, ministrat në detyrë Albulena Haxhiu e Hekuran Murati, të cilët kanë theksuar se vendimet më të dëmshme ndaj UÇK-së janë marrë gjatë kohës sa në koalicion qeverisës ka qenë PDK-ja

Deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Abelard Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka propozuar për kryeparlamentar deputetë që mbajnë “rekord të zi” në raport me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Vetëvendosja deri tash ka bërë tri propozime për kryetar të Kuvendit, por që asnjëri nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Fillimisht qe hedhur në votim kandidaturën e Albulena Haxhiut, më pas të Donika Gërvallës e në vazhdimin e fundit të seancës konstituive, atë të Hekuran Muratit.

Tahiri ka listuar akuza për të tre të propozuarit.

“Albulena Haxhiu dhe grupi parlamentar i LVV-së kanë miratuar ligjin për themelimin e Institutit për Hetimin dhe Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke zgjatur afatin e këtyre hulumtimeve deri më 31 dhjetor 2000. Po kush ka luftuar në Kosovë pas qershorit 1999?! Pra, veteranët e UÇK-së mund të ndiqen për krime lufte deri më 31 dhjetor 2000, sipas ligjit të Albulenës – pikërisht ashtu siç do Serbia. Ky është shërbimi më i madh që i është bërë Serbisë”, ka shkruar në Facebook Tahiri. “Donika Shvarc ka treguar vetë se ka bërë hetime personale, ka fabrikuar dosje për krerët e UÇK-së (me siguri bashkë me prokurorë serbë) dhe thotë se i ka dorëzuar pranë Gjykatës, duke u mburrur vetë me këtë veprim”.

E, për Hekuran Murati, ka thënë se “i ka përjashtuar nga paga minimale tri kategoritë më të lavdishme të shoqërisë sonë: Veteranët e UÇK-së; Familjet e Dëshmorëve; Invalidët e UÇK-së”.

Deputetët e Vetëvendosjes i janë kundërpërgjigjur Tahirit.

Murati ka shkruar në Facebook se herën e fundit kur PDK ka qeverisur me vendin, me koalicionin PAN gjatë periudhës 2017-2020, pensionet për veteranët, familjet e dëshmorëve, dhe invalidët e luftës janë rritur 0 euro. Krahas kësaj, ka theksuar se herën e parafundit kur PDK-ja ka qeverisur me vendin, në koalicion me LDK gjatë viteve 2014-2017, e kishte fshirë nenin 18 të ligjit që e lidhte pensionin e veteranit me pagën minimale.

“Kjo kërkesë kishte ardhur nga FMN-ja, pasi listat e veteranëve kishin filluar të mbusheshin edhe me ata që nuk i plotësonin kriteret, dhe kjo rrezikonte eskalim të kostos deri aty sa mund ta rrezikonte stabilitetin financiar”, ka shkruar në kundërpërgjigjen e tij Murati. “Ndërkaq pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës asnjëherë s’kanë qenë të lidhura me pagën minimale, por kjo e dëshmon se sa pak din Abelard Tahiri për këtë temë”.

Murati ka shkruar se gjatë kohës sa ka qenë ministër, pensionet për kategoritë e luftës janë rritur për së paku 20 për qind, ndërkaq ka thënë se “është 4-fishuar buxheti i FSK-së, duke arritur për herë të parë të përmbushim kriterin e NATO-s prej 2% të BPV-së”.

E, deputetja Albulena Haxhiu, e cila është edhe ministre në detyrë e Drejtësisë, ka theksuar se Tahiri, me amnezi tendencioze, vazhdon të manipulojë me të pavërteta.

“Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës u shua në vitin 2018, gjatë mandatit të Abelard Tahirit si ministër i Drejtësisë. Pra Tahiri mbylli mekanizmin shtetëror për dokumentimin e krimeve të Serbisë. Periudha deri më 31 dhjetor 2000 është e propozuar dhe votuar nga qeverisja e PDK-së, në 2011, kur u miratua Ligjin Nr. 04/L-023 për Personat e Zhdukur. Ky ligj përcakton qartë se trajtimi i rasteve të personave të zhdukur mbulon periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000”, ka shkruar Haxhiu, në kundërpërgjigje. “Më vonë, më 3 gusht 2015, në Kuvend votuan Dhomat e Specializuara, me juridiksion kohor 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000”.

Haxhiu ka theksuar se ligji i hartuar nga Qeveria Kurti dhe i miratuar nga Kuvendi, është shumë i qartë dhe nuk lë vend për manipulime. Sipas saj, ai zbatohet për periudhën e luftës, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999.

“Si përjashtim, hulumtimi dhe dokumentimi ‘mund të aplikohet edhe mbi krimet e kryera pas periudhës së luftës, të ndërlidhura me luftën, por jo më vonë se 31 dhjetor 2000’. Kjo nënkupton se boshti kryesor i ligjit është periudha e luftës, ndërsa zgjatja deri më fund të vitit 2000 ka të bëjë vetëm me pasojat e drejtpërdrejta të luftës, siç janë të zhdukurit (obligim nga Ligji i vitit 2011), si dhe viktimat nga minat. Çdo interpretim ndryshe është keqinformim dhe shpërdorim politik i tekstit ligjor”, ka shkruar Haxhiu. “Duke mbyllur Institutin për Krimet e Serbisë, duke votuar Specialen që gjykon vetëm shqiptarët, duke miratuar Ligjin për Personat e Zhdukur me afat deri në vitin 2000 dhe duke mos ndërmarrë asnjë veprim, sa ishte ministër, që i shërben drejtësisë për krimet e luftës, është e qartë se kush i ka bërë shërbim Serbisë”.

Haxhiu ka shkruar se Tahiri, “në vend të shpifjes, duhet të japë llogari” pse partia që i përket i ka marrë këto vendime që, sipas saj, e kanë lënë Kosovën pa mekanizma shtetërorë për dokumentimin e krimeve të Serbisë dhe kanë hapur rrugën për gjykim selektiv të UÇK-së.

Që nga gjysma e prillit kur ka nisur seanca konstituive e Kuvendit, e cila nuk është përmbyllur ende, deputetët e PDK-së nuk kanë votuar pro asnjërit prej të propozuarve të LVV-së për kryeparlamentar. Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka thënë se asnjë deputet që ka qenë anëtar i Qeverisë Kurti 2 nuk do të mbështetet për ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit.