Arbëri

“Pavijoni i verdhë” në Prishtinë synon të nxisë shfrytëzimin e hapësirës publike

Rruga “Rexhep Luci” në Prishtinë është njëra nga më të frekuentuarat në kryeqytet.

Duke qenë se lidh rrugën “Luan Haradinaj” me sheshet kryesore, ajo vazhdimisht është e mbushur me vetura e pak hapësira për lëvizje të këmbësorëve.

Por, gjatë javës, ajo ka marrë pamje tjetër.

Për t’ua kthyer qytetarëve hapësirën në shfrytëzim, disa arkitektë kanë vendosur këtë instilacion metalik që është quajtur “Pavijoni i Verdhë”, raporton “038” i KTV-së.

Gentiana Pallaska, themeluese e Zyrës së Arkitekturës, thotë se kryeqytetasit jetën po e zhvillojnë brenda hapësirave private, e shumë pak në ato publike. Sipas saj, kjo duhet të ndryshojë.

Pavijoni po shihet si mundësi e mirë për grumbullimin e qytetarëve.

Qëllim i këtij instilacioni u ka pëlqyer qytetarëve.

Të kënaqur me hapësirën janë edhe fëmijët, të cilët e shfrytëzojnë atë për lojëra.

Ideja për këtë instilacion ka ardhur nga dokumentari për vrasjen e arkitektit Rexhep Luci, pas përfundimit të luftës 20 vjet më parë, kur nisi punën drejt ndalimit të degradimit të qytetit.

“Pavijoni i Verdhë” do të qëndrojë në këtë rrugë deri të dielën. Strukturat e saj do të shpërndahen në rrugë të tjera të Prishtinës.

Vetë i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, ka thënë se simbolika e zaptimit - lirimit të rrugës që mban emrin e arkitektit të vrarë Rexhep Luci, hapi rrugë për diskutime të sinqerta për qytetin.