Arbëri

Pastrohen dhjetëra deponi ilegale dhe inerte në Ferizaj

Pas kërkesave të qytetarëve, gjatë kohës së fundit, Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj, ka pastruar dhjetëra deponi ilegale në disa lagje dhe lokalitete, përfshirë edhe deponi inerte.

Kjo kompani ka kërkuar nga qytetarët që ta respektojnë orarin për hedhjen e mbeturinave dhe mos t’i hedhin ato “vend e pa vend”. Ndërkohë gjatë sezonit veror pas ardhjes së mërgimtarëve në këtë kompani është dyfishuar edhe arkëtimi i të hyrave, ndërkohë menaxhmenti ka përmirësuar edhe sistemin e pagave për punëtorët, derisa muaj më parë punëtorët patën protestuar shkaku i pagave të ulëta.

Po ashtu apeli i KRM “Pastërtia” tek inspektorët komunal, bëri që të ndërmerren dhjetëra masa ndaj ndotësve të ambientit që shpesh krijonin telashe duke mos respektuar orarin dhe lokacionin për hedhjen e mbeturinave.

Arbër Ibrahimi, zyrtar për informim në këtë kompani, nëpërmjet një shkrese ka thënë se një e mirë tjetër që erdhi me menaxhmentin e ri, është edhe funksionalizimi i deponisë legale në fshatin Dremjak, për mbeturinat e vëllimshme, inerte dhe ato të ngurta.

“Kryeshefi i kompanisë pas negocimit me krerët e KMDK-së, është ndërtuar një raport i mirëqenë bashkëpunimi, gjë që solli edhe lehtësimin për deponimin e mbeturinës në kohë reale dhe më në afërsi, por jo më në oborrin e kompanisë gjë që kishte ndodhur më herët e, për cilën jo vetëm që ishte problem i madh për ndërmarrjen por njëkohësisht ishte shqetësim i madh për banorët përreth”, ka thanë Ibrahimi. Sipas tij, menaxhmenti ka edhe disa plane për të ardhmen në të mirë të kësaj kompanie edhe në dy komunat tjera ku shërben si në Shtime e Kaçanik, për çka pritet rrije e numrit të konsumatorëve me rritje të zonave të reja të shërbimit. “Kjo, sepse sipas planeve për investime në makineri dhe kushte të punës, KRM “Pastërtia”, do t’i mbijetoi sfidave të ndryshme që mund të paraqiten në të ardhmen, për të kryer shërbime sa më cilësore e koherente për klientët e saj dhe në të mirë të mbrojtjes së mjedisit”, ka thënë Ibrahimi.