Kompania Rajonale e Mbeturinave, “Pastrimi”, të martën në mbrëmje ka njoftuar se është e detyruar ta ndërpresë shërbimin e grumbullimit të bërllokut në Prishtinë për shkak të siç thonë ata, mospagesës së një borxhi nga Komuna prej 2.7 milionë eurosh.
Në një komunikatë në Facebook, “Pastrimi” ka thënë se për më shumë se pesë muaj, “Komuna nuk ka përmbushur obligimet financiare ndaj kompanisë, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme dhe paralajmërimeve të përsëritura”.
“Kjo situatë e ka bërë të pamundur mbulimin e kostove operative dhe vazhdimin normal të ofrimit të shërbimeve”, thuhet më tutje në reagim.
Në fund, “Pastrimi” i ka bërë thirrje Komunës që të fshijë menjëherë detyrimet dhe të rivendosë bashkëpunimin institucional “në funksion të garantimit të shërbimeve bazike për qytetarët e kryeqytetit”.
KRM “Pastrimi” dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, janë përplasur vazhdimisht muajve të fundit.
Në dhjetor të vitit të kaluar Asambleja Komunale në Prishtinë ka votuar me inicimin e Partisë Demokratike (PDK) dhe me ndihmën e LVV-së për plotësim-ndryshimin e rregullores së re për mbeturina. Në të thuhet se arkëtimi i faturave për qytetarët e Prishtinës bëhet nga kompania “Pastrimi” dhe jo nga Komuna e Prishtinës.
Rregulloren e ndryshuar e pati aprovuar edhe Ministria e Mjedisit, e cila ka konsideruar se ajo është në harmoni me Ligjin për mbeturinat. Por këtë ndryshim, drejtues të Komunës së Prishtinës e patën dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ende nuk ka dalë me ndonjë vendim dhe për këtë arsye, Komuna ka bërë thirrje që shërbimet të paguhet te ta dhe jo te ndërmarrja. Ndërmarrja e ka bërë thirrjen e kundërt.
Së fundmi, opozita në Prishtinë nuk e përkrahu propozimin e Ramës që t'i ndahet subvencionim ndërmarrjes “Pastrimi” .