Tetë kamionë i ka pranuar kompania rajonale e pastrimit, “Pastërtia”, në Ferizaj, si donacion i Qeverisë së Japonisë. Kamionët do të jenë në funksion, pos qytetit të Ferizajt, edhe në komunën e Shtimes dhe atë të Kaçanikut.
Pranim-dorëzimi i kamionëve është bërë të martën në një ceremoni solemne në Ferizaj. Në ceremoni ka marrë pjesë ambasadori jorezident i Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani i cili bëri dhurimin e këtij donacioni, ministri i Mjedisit Liburn Aliu, kryetari i Ferizajt Agim Aliu, kryetari i Kaçanikut Besim Ilazi, dhe ai i Shtimes Qemajl Aliu.
Ambasadori jorezident japonez ka thënë se është kënaqësi që sot po bën shpërndarjen e kamionëve e që është kontingjenti i tretë dhe i fundit i shpërndarjes në kuadër të programit të zhvillimit ekonomik dhe social i nënshkruar në vitin 2019.
“Është kënaqësi e madhe që po dorëzoj sot 8 automjete për grumbullimin e mbeturinave në Komunën e Ferizaj, Kaçanikut dhe Shtimes. Ky është grupi i fundit i pajisjeve që po dorëzohet me një vlerë prej 1.9 milion euro me qëllim të forcimit të kapacitete për bartjen e mbeturinave në rajonin e Ferizaj”, ka thënë Mizutani.
Nga ana tjetër kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se me zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese teknike “do të shumëfishohen punët e mira”.
“Padyshim, në këtë kuptim është i domosdoshëm investimi edhe në mirëmbajtjen e hapësirave të tilla. Është kjo makineri e sofistikuar, janë këta kamionë që pranojmë sot, pasuria, vlera e shtuar që do ta bëjnë flotën tonë të automjeteve për mirëmbajtjen e qytetit dhe fshatrave, edhe më të pasur, edhe më efikase, edhe më shërbyese për qytetarët tanë”, ka deklaruar Aliu.