Rritjen e numrit të konsumatorëve po e synon kompania për menaxhimin e mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj.
Drejtuesit e saj kanë nisur realizimin e një pilot-projekti, derisa mijëra konsumatorë nuk janë të regjistruar fare në këtë kompani.
Së fundmi, ata kanë bashkëpunuar edhe me kompanitë e tjera, si ajo për menaxhimin e ujësjellësit “Bifurkacioni” dhe me KEDS-in, për të marrë listat e të gjithë konsumatorëve të kësaj komune.
Basri Syla, drejtor ekzekutiv në kompaninë “Pastërtia”, ka thënë se secili konsumator është i obliguar të bëjë pagesën mujore, teksa kompania po i ofron shërbime të vazhdueshme.
“Është një pjesë e madhe e qytetarëve që ne si kompani e marrim mbeturinën, por ata nuk e paguajnë, sepse nuk janë të regjistruar në kompani, andaj i kemi formuar ekipet dhe i kemi bërë komisionet të cilat dalin në terren për ta vizituar secilin familjar, secilën shtëpi veç e veç, duke i regjistruar si konsumator të ri”, ka thënë Syla.
“Pastërtia”, siç është thënë prej drejtuesve, i ka vetëm 17 mijë konsumatorë, ndërkaq KEDS-i e “Bifurkacioni” nga 32 mijë.
“Aty do të shkojë numri afro 15 mijë, që nënkupton 65 mijë, afro 70 mijë euro do të inkasohen të hyra të reja për kompaninë”.
Ndërkohë, të gjitha ato familje nga Komuna e Ferizajt që jetojnë në Perëndim janë të obliguara të paguajnë nga 20 euro si taksë vjetore ndaj kompanisë.