Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka zhvilluar hetime lidhur me dyshime për keqpërdorim të fondeve publike në një institucion parashkollor në Prishtinë.
KOHA ka marrë vesh se bëhet fjalë për çerdhen “Botanika, për të cilën ka raportuar më herët për dyshime për keqpërdorim të subvencioneve komunale në emër të fëmijëve.
Në njoftimin e Policisë thuhet se gjatë hetimeve janë siguruar prova që tregojnë përpilimin e listave fiktive të subvencioneve për fëmijë që nuk kanë ndjekur institucionin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.
“Dyshimet përfshijnë gjithashtu tërheqje të parave në mënyrë të parregullt dhe blerje të pajisjeve elektronike pa justifikim të nevojave institucionale. Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shumat e sakta të dëmit të shkaktuar që mund të arrijnë vlerën mbi 100 mijë euro”, thuhet në njoftim.
Sipas informatave që ka siguruar KOHA janë intervistuar drejtoresha Kadrije Asllani dhe administratorja e çerdhes Qendresa Makolli.
Asllani është ndaluar për 48 orë.
“Dy të dyshuar janë intervistuar dhe njeri nga ta dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.
Para një muaji KOHA kishte raportuar se një skemë hajnie dyshohet se ka funksionuar në çerdhen “Botanika”, në lagjen “Mati 2” në Prishtinë, ku prindërit kanë akuzuar zyrtarët e institucionit për keqpërdorim.
Drejtuesja e kësaj çerdhe, Kadrije Asllani, nuk kishte pranuar të deklarohej lidhur me dyshimet, me arsyetimin se “rasti është duke u hetuar”.
Fajin për keqpërdorime të mundshme ajo ia pati hedhur administratores së kopshtit, Qëndresa Makolli.
E administratorja Makolli të gjitha këto i pati quajtur shpifje.
Sipas saj, listat ishin përpiluar nga drejtoresha Asllani, të cilat më pas ajo i ka dorëzuar në DKA me urdhër të saj.
Komuna e Prishtinës për fëmijët e regjistruar në institucione parashkollore private ofron mbështetje financiare për kategori të cenueshme sociale, duke ua mbuluar një pjesë të pagesës.
Nga to kanë përfituar edhe prindërit e kopshtit me bazë në komunitet, “Botanika”.
Në një dokument të këtij institucioni, të cilin e pati siguruar KOHA, shihej lista e dërguar në Komunë me emrat e 93 fëmijëve për t’u subvencionuar nga rreth 100 sa ishin gjithsej të regjistruar në këtë çerdhe.
Këtë e kishin konfirmuar edhe disa prindër, të cilët nuk kishin dashur t’u zbulohej identiteti.