Arbëri

Pas një jave rifillon gjykimi ndaj Lekajt e tre të tjerëve për rastin “53-milionëshi”

Rasti i njohur si “53-milionëshi”, ku Pal Lekaj dhe tre ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës ishin gjetur fajtorë, do të trajtohet sërish nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Pas vërejtjeve të Apelit për gabime në procedurë dhe në vlerësimin e provave, procesi gjyqësor do të rifillojë më 14 maj, me përbërje të ndryshuar të trupit gjykues

Pas një jave Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri do të kthehen në Gjykatë për t’u përballur sërish me akuzat për keqpërdorim të detyrës gjatë ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferri”.

Nga shkalla e parë, katër të akuzuarit ishin gjetur fajtorë, por në shkurt të këtij viti Apeli ktheu rastin në rigjykim, me arsyetimin se në aktgjykimin dënues gjeti gabime në procedurë dhe vlerësim të provave.

“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve P.L. etj. është caktuar të mbahet më datë 14 maj 2025, në orën 09:00”, thuhet në përgjigjen e Themelores në Prishtinë.

Në janar të 2024-tës, kur Pal Lekaj me bashkëpunëtorë u shpallën fajtorë, pjesë e trupit gjykues ishin Violeta Namani Hajra, Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli. Mirëpo përbërja e njëjtë nuk do ta japë verdiktin kësaj radhe, pasi gjyqtari Konxheli është pensionuar dhe do të zëvendësohet. 

Kjo u hap rrugë palëve të kërkojnë që të gjitha provat të lexohen edhe një herë, e po ashtu edhe dëshmitarët të thirren prapë, gjë që mund ta zgjasë procesin e nisur më 4 maj 2022. 

KOHA ka pyetur avokatin Urim Vokshi, që mbron të akuzuarin Besim Tahiri, se a do të kërkojnë që shqyrtimi gjyqësor të nisë nga e para, por ai tha se nuk kanë vendosur ende dhe se qëndrimin do ta bëjnë të ditur në seancë.

Përgjigje të ngjashme kanë dhënë edhe Florent Latifaj, avokat i Nebih Shatrit dhe Afrim Salihu, që mbron Eset Berishën. E, Artan Qerkini, avokat i Pal Lekajt, nuk është përgjigjur. 

Gjykata Themelore në Prishtinë pati vendosur më 31 janar 2024 që Lekaj të dënohet me tre vjet e 8 muaj burgim për rastin që u bë i njohur si afera “53-milionëshi”. 

Pos Lekajt, në këtë rast të akuzuar janë edhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri. Ndaj të katërve qe shqiptuar dënimi prej 10 vjetësh e tre muajsh burgim, në total.

E në vendimin e Apelit, për kthimin e rastit në rigjykim, thuhet se aktgjykimi i Themelores nuk e ka mbështetur akuzën se Lekaj dhe Berisha e kanë injoruar opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”. Apeli ka konsideruar se kompetencat e kompanisë së angazhuar për mbikëqyrjen e projektit janë të paspecifikuara.

“Hill International” qe kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, me një kosto prej 8.7 milionë eurosh për të mbikëqyrur si konsulent ligjor, financiar dhe teknik realizimin e projektit të autostradës “Arbën Xhaferri” dhe se më herët asnjë pagesë nuk është kryer pa u certifikuar nga kjo kompani.

Sipas aktgjykimit të Themelores, Qeveria ka ndarë 53 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel & Enca”, e cila i ka realizuar punimet e autostradës Prishtinë–Han i Elezit, duke e injoruar opinionin e kompanisë që pati konstatuar se duhen paguar vetëm 14 milionë euro si dëmshpërblim për mosalokim të buxhetit konform dinamikës që parashihej në kontratën bazë.