Punëtorë të ndërmarrjes “Pastrimi” e kanë vazhduar për të shtatën ditë radhazi grevën para Komunës së Prishtinës për ekzekutim të pagave e kushte më të mira pune. Ata kanë paralajmëruar të mërkurën se nuk do të heqin dorë nga presioni sindikal krejt deri në përmbushjen e kërkesave
Është bërë një javë qëkur Halil Behluli, bashkë me punëtorë të tjerë të kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, përditë qëndron për orë të tëra para objektit të Komunës së Prishtinës, në kuadër të grevës për shlyerjen e borxhit prej 2.7 milionë eurosh.
Ai thotë se kështu do të vazhdojë të bëjë edhe ditëve në vijim, teksa tha se pret që Komuna e Prishtinës t’u bëjë zgjidhje edhe kërkesave për nënshkrim të kontratës bazike, ndërprerjen e kontratave me operatorë të tjerë privatë dhe respektimin e dinjitetit të punëtorëve.
“Për shkak të mjeteve që komuna nuk i ka aloku në kompaninë Pastrimi dhe kemi ardhur deri te një mungesë e derivateve fillimisht dhe për këtë arsye ne nuk jemi duke mundur me operu dhe si pasojë e krejt kësaj në të ardhmen e shohim ndoshta mungesën e pagave dhe kjo na shqetëson edhe më shumë... Derisa nuk mundemi me punu e kemi edhe shqetësimin që nesër kemi me u ballafaqu edhe me mungesën e pagave”, thekson Behluli.
E Ardian Krasniqi, kryetar i njërës prej dy sindikatave të punëtorëve të ndërmarrjes “Pastrimi”, ka paralajmëruar se pa përmbushjen e kërkesave presioni sindikal nuk do të ndalet.
“Kryesorja është pagesa e shërbimit 5-mujor, ku kemi shërbyer pa të hyra sepse na është dëmtuar thirrja nga ana e komunës që mos paguani, e këto mosmarrëveshje na kanë pru në këtë gjendje dhe kontrata, shumë me rëndësi. Operatorët privatë, statusi i KRM-së, çka do të ndodh? Çka do të punojnë këta punëtorë?”, deklaron Krasniqi.
Që nga 14 maji ndërmarrja “Pastrimi” e ka ndërprerë mbledhjen e mbeturinave në kryeqytet me justifikimin se Komuna e Prishtinës nuk ia ka shlyer borxhin prej 2.7 milionë eurosh.
Në Komunën e Prishtinës kanë mohuar se i kanë borxh “Pastrimit”, teksa e kanë akuzuar ndërmarrjen për sabotim.