Përditësim - Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me gjashtë vota për, ka aprovuar kërkesën e Besim Kelmendit për lirim nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit.
Kërkesa e Kelmendit u aprovua në takimin e jashtëzakonshëm të hënën, me votat e gjashtë anëtarëve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“I shprehim falënderim për përkushtimin dhe profesionalizmin”, tha kryesuesi Ardian Hajdaraj.
Më pas, ai propozoi që në pozitën e u.d kryeprokurorit të shtetit të caktohet Agron Qalaj. Kundër këtij propozoi votoi anëtari Dardan Vuniqi.
Më pas, Këshilli caktoi Qalajn si u.d kryeprokuror i shtetit dhe ky vendim hyn në fuqi sot.
Paraprakisht, Hajdaraj tha se ftesa për takim i ka shkuar edhe Kelmendit, mirëpo ai e ka njoftuar se gjendet në udhëtim vendit.
Të pranishëm në takim ishin gjashtë anëtarë, kurse tre anëtarë të tjerë kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në takim.
Pas kërkesës së Kelmendit për lirim nga detyra, KPK mbledhje të jashtëzakonshme
Menjëherë pas paraqitjes së kërkesës së Besim Kelmendit për lirim nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thirrë takim të jashtëzakonshëm, ku është caktuar edhe agjenda e takimit.
Në ftesën për takimin e 282-të, e cila është dërguar në emër të kryesuesit Ardian Hajdaraj, bëhet e ditur se takimi mbahet sot (e hënë) nga ora 14:30.