Arbëri

Pas disa ditësh bojkoti, rikthehen shërbimet për menaxhimin e mbeturinave në Ferizaj

Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj, ka rikthyer shërbimet për qytetarët derisa ditë më parë një pjesë e punonjësve e patën bojkotuar punën shkaku i vonesës së pagave.

Ndërkohë, një pjesë e qytetarëve dhe institucionet komunale i janë përgjigjur kësaj kompanie për shlyerjen e një pjese të borxheve, raporton KOHA.

Po ashtu kjo ndërmarrje publike deri në fund të vitit po vazhdon ta mbajë të hapur ofertën stimuluese për qytetarët në mënyrë që ata ta paguajnë gjysmën e borxhit dhe gjysma tjetër të shlyhet automatikisht. Ndërkohë, që nga fillimi i vitit të ardhshëm të gjitha borxhet do të inkasohen nëpërmjet përmbaruesve privatë.

Dukagjin Hetemi, drejtor i përgjithshëm i KRM “Pastërtia” ka thënë se kanë rikthyer shërbimet pas disa ditësh nga bojkoti i punës së punonjësve.

“Komuna dhe një pjesë e qytetarëve i janë përgjigjur kompanisë për shlyerjen e borxheve, andaj shërbimet janë rikthyer prej të hënës. Jemi duke vazhduar me punë në terren për t’i mbledhur të gjitha mbeturinat e grumbulluara gjatë ditëve të fundit. Edhe një herë kërkoj nga qytetarët që ta shfrytëzojnë ofertën tonë për shlyerjen e borxheve sepse nga muaji janar i vitit të ardhshëm ato do të inkasohen me përmbarues”, ka thënë Hetemi.

{gallery}