Pas ankesave të prindërve se Komuna e Kaçanikut ka ngecur të sigurojë lëndë djegëse për shkolla, shkaku i inflacionit, Komuna tashmë ka bartur një pjesë të buxhetit nga mallrat dhe shërbimet për ta siguruar buxhetin e mjaftueshëm.
Kjo Komunë tashmë ka siguruar rreth 160 tonë me pelet për shkollar përfshirë edhe një pjesë për Qendrën e Mjekësisë Familjare. Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, ka shpjeguar se në fillim të hapjes së procedurave për blerjen e peletit kanë hasur në telashe shkaku i rritjes së çmimeve, ndërkohë kanë bartur një pjesë të buxhetit nga mallrat dhe shërbimet.
“Në fillim kemi planifikuar 460 euro për një ton me pelet për shkolla kurse operatoret kanë operuar me 490 euro, andaj nuk kemi pasur mundësi për të nënshkruar kontrata me këtë çmim, ndërkohë është dashur ta anulojmë tenderin dhe tani e kemi planifikuar për 470 euro duke i siguruar mjetet nga kodet tjera buxhetore dhe kompania fituese tashmë ka bërë furnizimin me pelet për shkolla. Ndërkohë jemi në pritje edhe për një pjesë tjetër të furnizimit në mënyrë që mos të kemi telashe në këtë çështje”, ka njoftuar Ilazi.
Ilazi ka shtuar se edhe disa shkolla të tjera, të cilat kanë pasur kontrata dyvjeçare për furnizim me dru, i kanë sjellë me kohë furnizimet, andaj nuk do të kenë telashe rreth kësaj çështje.
Visar Islami, kryetar i Këshillit të prindërve për komunat e regjionit të Ferizajt ka thënë se kompanitë fituese të tenderëve për furnizim me pelet dhe dru të shkollave e kanë pasur mundësinë të marrin subvencione nga Qeveria e Kosovës deri në 20 për qind të vlerës së përgjithshme të tenderëve.
“Ka pasur ankesa për disa komuna pas rritjeve të çmimeve, mirëpo kontratat për dru dhe lëndë djegëse që janë lidhur në fillim të vitit dhe pastaj pasi që janë rritur çmimet, atëherë Qeveria e Kosovës pati njoftuar për t’i subvencionuar ato kompani deri në 20 për qind. Sa i përket Kaçanikut por edhe Shtimes ka pasur telashe me furnizim dhe ndërkohë ka pasur shumë ankesa nga prindërit rreth kësaj çështje, mirëpo tani kemi lajme të mira për Kaçanikun se i kanë siguruar mjetet. Sidoqoftë, ne si këshill i prindërve për komunat e Regjionit të Ferizajt kërkojmë që komunat të angazhohen rreth kësaj çështje dhe nuk duhet të mbyllet asnjë shkollë shkaku i mungesës së ngrohjeve të objekteve”, ka thënë Islami.