Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se si kusht për noterët e rinj do të shtohet edhe provimi i jurisprudencës. Haxhiu është zotuar për proces transparent. Provimi i fundit, më 2019, ishte kontestuar nga Qeveria aktuale
Më 27 janar pritet të mbahet provimi i noterisë pas gati 5 vjetëve nga ai i fundit i organizuar nga ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Ministrja Albulena Haxhiu është zotuar të martën për proces transparent teksa e ka quajtur të komprometuar atë të organizuar nga pararendësi i saj, Tahiri, ani se Gjykata e Apelit e kishte pezulluar vendimin e saj për anulim të konkursit.
“27 janari, që është dita kur do të mbahet provimi i noterisë e që është një proces po aq i rëndësishëm dhe për të cilin jam kujdesur shumë që të mos kemi një proces qysh ka ndodhur në vitin 2019. Ka qenë një proces i komprometuar, por që të jetë një proces transparent me përbërje të anëtarëve të komisionit me integritet të lartë”, ka thënë Haxhiu.
Sipas Ligjit për Noterinë, për çdo 10 mijë banorë duhet të jetë një noter.
Por në Kosovën me 1.8 milionë banorë profesionin e noterit e ushtrojnë rreth 50 persona, 130 më pak sesa duhet sipas Ligjit.
Mungesën e tyre e ka shkaktuar moshapja e konkurseve për noterë, pasi ministrja Haxhiu pati deklaruar se nuk do të ketë konkurs e as provim të ri pa përfunduar procesi gjyqësor lidhur me ligjshmërinë e provimit të noterisë të 2019-s.
Gjatë raportimit në Komisionin për Legjislacion, ku u miratua në parim Projektligji për noterinë, Haxhiu ka thënë se ata që synojnë të bëhen noterë, tash e tutje kusht do ta kenë edhe provimin e jurisprudencës.
“Këtë e kemi bërë, sepse noteri është i rëndësishëm dhe merret me shërbime publike, prandaj është e rëndësishme që noterët të jenë sa më profesional dhe të ofrojnë shërbime sa më profesionale”, ka thënë ajo.
Komisioni për Legjislacion ka miratuar edhe raportin e zbatimit të Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.