Një nga zërat më kumbues i cili prej dekadash avokon për Kosovën më nuk do të jetë pjesë e Kongresit Amerikan. Pas 32 vjetësh, Eliot Engel largohet prej institucionit ku shpesh e ngriti edhe çështjen e Kosovës. Ai pati peshë të rëndësishme në denoncimin e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve nga Serbia i cili do të kulmonte me gjenocid në fund të viteve 90-ta.
Në periudhën kur Jugosllavia po shpartallohej dhunshëm, Engel u bë anëtar i Kongresit. Ai ishte ndër ligjvënësit e parë amerikanë që i bëri thirrje administratës së presidentit Clinton të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë për t’i dhënë fund represionit të Millosheviqit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAngazhimin nuk e ndali as pas përfundimit të luftës, duke lobuar për pavarësinë dhe forcimin e shtetit të Kosovës. Në fjalimin lamtumirës, Engel e ka përmendur edhe Kosovën, duke thënë se zë një vend të veçantë në zemrën e tij.
“Unë gjithmonë kam pasur një vend të veçantë në zemrën time për Ballkanin dhe në veçanti për Kosovën. Në vitin 1999, fuqishëm e kam përkrahur intervenimin e Administratës Clinton në Ballkan. Ne e dimë se parandaluam gjenocidin. Që nga atëherë, kam qenë përkrahës i sovranitetit të Kosovës dhe pavarësisë. Shteti ka bërë hapa të jashtëzakonshëm dhe njihet nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Japonia dhe shumë shtete të tjera të rëndësishme”, ka thënë Engel.
Engel iu kundërvu edhe administratës Trump, duke i parë me shqetësim siç i quante ai taktikat e duarve të rënda që presidenti amerikan përdori në raport me Kosovën.
Në kulmin e fushatës në ShBA, Engel ia kujtoi Trumpit se luftën në Kosovë e përfundoi Bill Clintoni dhe NATO, e jo siç pretendonte ish-presidenti republikan. Trump e prezantoi si trofe diplomatik marrëveshjen ekonomike të 4 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë. Sipas Trumpit, ai ndali luftën 400-vjeçare mes të dyja vendeve, teksa përshkruante momentin kur liderët e të dyja vendeve ishin përqafuar në zyrën e tij.
73-vjeçari Engel nuk e ka në plan të pensionohet pas humbjes së befasishme në zgjedhjet e mbajtura verën e kaluar. Edhe pse nuk ka zbuluar detaje për angazhimet e ardhshme, nuk kishte hezituar ta shpalosë pasionin e tij për cepin e vogël të Evropës- Ballkanin. Këtë e përmendi në seancën dëgjimore në Kongres, më 8 dhjetor, e cila u thirr me synimin që administratës së re amerikane t’i rekomandohet ndryshimi i qasjes në Ballkan.
Prej aty Engel kërkoi drejtësi për viktimat e luftës së fundit në Kosovë si dhe tre shqiptaro-amerikanët që janë ekzekutuar nga policia serbe në vitin 1999. Vrasësit e vëllezërve Bytyqi ende nuk janë zbuluar.
Ai e ka quajtur të padrejtë që Kosovës t’i kërkohet gjykimi i krimeve të luftës në Dhomat e Specializuara, e Serbia të amnistohet.