Arbëri

Pas 22 vjetësh, familja Shehu detyrohet t’ia lirojë banesën pronarit serb

Hazbie Shehu, së bashku me të bijën e saj nga qyteza e Kaçanikut, natën e mbrëmshme e kaluan jashtë banesës në të cilën jetuan 22 vjet.

Pronari legjitim i banesës nga komuniteti serb së fundmi është kthyer dhe ia ka shitur atë dikujt tjetër në mënyrë ligjore.

Familja Shehu që jeton me asistencë sociale po kërkon mbështetje institucionale për të gjetur strehim.

Hazbije Shehu që jeton vetëm me vajzën e saj tregon se nuk ka pasur mundësi financiare ta blinte banesën.

“Të gjitha sëmundjet i kam, edhe do vjet i kam, më ka larguar jashtë nga banesa, kam dalë këtu. Kojshia kanë bërë rahmet, më kanë sjellë drekën dhe darkën, por këtu kemi fjetur. Shumë jam e lodhur por nuk po kam çka të bëj”, ka thënë Hazbie Shehu, banore e Kaçanikut.

Vajza e saj Gyleri tregon se kërkuan ndihmë nga Komuna e Kaçanikut, por kanë mbetur në pritje.

“Po kemi qenë në Komunë siç po tregon edhe nëna, i kemi treguar siç është gjendja. Edhe ata kanë thënë se banesa është privat por sikur të ishte e komunës s’ke problem kurrë. Pra nuk është e komunës, dikush e ka blerë dhe s’kemi çfarë të bëjmë. Kemi dëshirë të ju ndihmojmë por nuk kemi buxhet apo diçka më shumë për t’ju ndihmuar”, ka thënë ajo.

Por kryetari Besim Ilazi, ka thënë se këtë familje e kanë mbështetur vazhdimisht me pako ushqimore. Ai premton se së shpejti do ta bëjnë edhe me strehim.

“Ajo që i kemi dhënë përgjigje asaj dhe i themi edhe sot se jemi në përfundim të objektit për banim social dhe po shpresojmë që është e vetmja formë ndoshta si komunë që mund t’i ofrojmë qytetarëve , në mesin e tyre do të jetë mundësia që edhe asaj familje t’i ofrohet mbështetje, pjesën tjetër me ndihma jemi munduar edhe asaj familjeje por edhe familjeve tjera t’u ndihmojmë”, është shprehur Ilazi.

Deri në finalizimin e objektit social, familja Shehu kërkon nga njerëzit e vullnetit të mirë t’i gjejnë strehim të përkohshëm.